Në Shqipërinë e varfër, jo nga Zoti por nga mendja djallëzore e njeriut, problemet sa vijnë dhe shtohen. Jemi në ditet e fundit të qershorit dhe korriku e gushti, do të duhej të shënonin pikun e turizmit. Këtë vit, të vetëdijshëm se ky “rekord” shifrash do të mungonte për shkak të pandemisë Covid, efektet e të cilës vijojnë, u mendua dhe shpresua që së paku të gjithë do të kishin një qasje tjetër.
Pushuesit të zgjidhnin atdheun e tyre, qeveria të ndihmonte me politika lehtësuese e promovuese këtë sektor, si dhe vetë biznesi pse jo, me çmime më të lira e shërbim të shtuar, të mund të rikuperonte diçka (sepse siç thotë një shprehje e vjetër “dhjamë nga pleshti nuk mund të nxjerrësh”). Por jo, e nisëm edhe këtë herë me këmbën e mbrapshtë!
Sezonin e çelëm me fadroma që rrafshonin objekte që për vite të tëra kishin qenë aty, në brezin rënor (diku me ndonjë letër gjysmë- leje, e diku pa leje). Por me apo pa leje, pak efekt do të bënin edhe për një 2- mujor plazhi që parashikohet ky i këtij viti. Meqenese shteti u kujtua të gódasë “paligjshmërinë”, së paku të kujdesej për t’i pastruar me shpejtësi, siç bëri kur i rrafshoi, ditën dhe natën.
Këtë në fakt nuk gjeti kohë e as vullnet dhe gërmadhat janë aty, bashkëjetojnë me pushuesit në Velipojë dhe do të presin 1 korrikun, për të uruar mirëseardhjen në plazhin më të madh të veriut. E gjitha kjo lojë në emër të ligjit, me prapaskena të errëta që mendjet djallëzore me pushtet zhvillojnë, ka vetëm një efekt: SHKÁTËRRÍMIN.
Velipoja ngjan e trishtë, e kjo jo për fàjin se natyra ka kursyer diçka në këtë plazh, por sepse mendjet djallëzore që vit pas viti punuan për ta shkàtërruar dhe jo ndërtuar duke kuruar, i vunë në dekadën e 3- të të demokracisë, edhe damkën e fundit përmes fadromave, që nën zë, thuhet se i hapin rrugë të tjera interesave.
Nëse dikush mendon se ligji bëhet në një ditë e duke treguar forcën e ka gabim. Asgjë nuk ndodh për një ditë, as ngritja e paligjshmërisë dhe as ndërtimi i të ligjshmes, prandaj sot jemi në një rrugë qorre ku kështjellat e ngritura mbi rërë nuk vonojnë të na shémbèn … /Nga Bepin KOLVATAJ, publikuar në profilin personal në Facebook/