Ka ditë e ngjarje që të bëjnë të kthesh kokën pas për një moment. Një nga këto, është 2 korriku 1990. Plot 30 vite më parë, në prag të ndryshimit të sistemit në vend, filloi procesi i eksodit të shqiptarëve jashtë vendit e që sot quhet, emigracion.
Pas tridhjetë viteve, vijojmë të jemi një popull emigrantësh. Shumë statistika tregojnë se aktusliht, më shumë shtetas të Shqipërisë jetojnë jashtë saj se brenda kufijve. E të mendosh, se 2 korriku 1990, sipas statistikave të kohës, largoi me një valë më pak se 5 mijë shqiptare. Sigurisht, valë që u pasua edhe me marsin e 1991, pranverë- verën e 1997-ës pa u ndalur askurrë deri më sot.
Në vitet ’90 e lamë këtë vend sepse ishim të etur për liri e demokraci. Natyrisht, sidomos nga filli i viteve ’80 kur u futëm në izolim total, edhe pse kishim barkun bosh, mendonim më shumë për starndartet e perëndimit. Dyert e ambasadave fillimisht e të shteteve më pas, i gjetëm të hapura e shumë nga ne, morën status emigranti politik, i cili çuditërisht, jo në masë, por vazhdon edhe sot të përfitohet nga shqiptarët.
30 vjet më pas, i drejtohemi emigracionit për “një jetë më të mirë”. Ky përcaktim është mjaft i gjërë, por edhe sot lidhet me “barkun bosh”, me pamundësinë për të mbijetuar në vendin tënd por edhe për mungesën e dritës në fund të tunelit për fëmijët që lindën në “epokën e demokracisë”.
Shqiptarët, ndryshe nga fillimi i viteve ’90, ikin sot edhe për një arsye tjetër. Jeta e njeriut në këtë vend, shpesh herë, është në dorën e atij që ka hak për të marrë apo “hesape” për të larë. Ankthi për jetën, për të ardhmen, sidomos të fëmijëve, është pse jo, shkaku kryesor i ikjes nga ky vend.
E sot nuk mund të flitet thjeshtë dhe vetëm për ikje të “trurit” apo profesionistëve. Sot duna të ikin të gjithë e treguesi më i mirë zyrtar, vijon të mbetet aplikimi për Lotarinë Amerikane.
Në rutinën e përditshmërisë, mbarsur në jo pak raste edhe me hallet e problemet që na shoqërojnë trash 30 vjet, shpesh harrojmë të kthejmë kokën pas. E sot që e kthejmë, shohim imazhe të familjeve që tërheqin pas valixhe, me shpinë nga atdheu dhe në dorën tjetër, fëmijë të vegjël.
Pas 30 viteve, kemi ecur. Askush nuk mund ta mohojë. Kemi ecur me shpejtësi drejt emigracionit masiv që po plak vendin e po rinon ata që që na mirëpresin. Ndryshe nga vitet e shkuara, nga 2010-a nuk kemi nevojë të prishim mure ambasadash, as të udhëtojmë me tragete si klandestinë. Të paktën në hapësirën Shengen. Por përsëri në Britaninë e Madhe fshihemi në kamionë, drejt SHBA-së e Kanadasë, duhet të paguajmë për të kaluar si klandestinë. E gjithë kjo, si për të treguar se sa pak, shumë pak, kemi ecur nga 1990-a.
Pas 45 viteve mbyllje në kampin gjigand të përqendrimit, u mbushën 30 që vazhdojmë të ikim nga ky vend. Dikush thotë se aq kohë sa kemi qëndruar mbyllur, po aq vite duhet për të krijuar një stabilitet normal për këtë vend. Të paktën pas 15 viteve nga sot, të mos përcjellim të njëjtët rreshta. Të shpresosh nuk kushton asgjë, përveç jetës së njeriut… /Nga Blerti DELIJA/