Shkodrës prej vitesh nuk i “punojnë” sahatët e tij publikë. Ndërsa flitet e diskutohet shumë për “Sahatin e Inglizit”, një monument unikal dhe i vyer që duhet ruajtur e mirëmbajtur me fanatizëm ekstrem, ka edhe disa sahatë të tjerë, që mbase meritojnë vemendje.
Po flasim për disa, jo vetëm për atë mbi çatinë e Prefektuerës së Shkodrës, por për një më të vjetër në jetëgjatësi, sahatin e pallatit “Te sahati” në Shkodër. Pak kush në Shkodër nuk orientohet me këtë toponim, madje edhe vizitorë të shpeshtë të qytetit.
I vendosur në majën e një pallati në një nga rrugët kryesore, sot tregtare, të Shkodrës diku në vitet 80- të, sahati po i afrohet 50 viteve jetë. Asokohe, për të garantuar funksionimin e sahatit, i vendosur në një nga pallatet më të larta të kohës, iu dha një apartament një sahatçiu shumë të njohur për ta monitoruar.
Shumë shpejt, u kthye në pikë referimi. “Te sahati” ishte një toponim që edhe sot vazhdon të ruhet. E ndërsa ngre kokën lart apo je në një lokal, gjendja e sahatit është mjerueshme. Sigurisht, ka vite që nuk funksionon, nuk mat kohën. Katër faqet e tij, tregojnë tre kohë të ndryshme, asnjëherë të saktën, përveç rastësisë po ngrite kokën lart.
Fushat e sahatit, dikur të bardha, sot verdhëzojnë nga ndryshku. Me gjasë, edhe mekanizmi i brendshëm ka pësuar të njëjtin fat, më shumë nën peshën e moskujdesjes dhe harresës. Akrepat për shkak të kushteve atmosferike, japin idenë e diçkaje të zezë, pa lëvizje dhe të ngjall trishtim.
Ndoshta shumëkush e quan jashtë aktualitetit shqetësimin për këtë simbol gati 50 vjeçar të qytetit. Të tjerë mbase e quajnë fat degradimin e ngadaltë dhe në sytë e të gjithëve e një tjetër “vepre të komunizmit”. E të tjerë ndoshta, më ekstremistë, mund të mendojnë edhe shembjen e tij apo përdorimin për ndonjë qëllim tjetër të kullës.
Nga ana tjetër, jam i bindur se shumë, shumë shkodranë, nga ata që vazhdojnë të hetojnë në këtë qytet por edhe ata që e kanë braktisur për arsye të ndryshme, janë nostalgjikë. Mbase e kërkojnë me sy, sespe automatikisht sapo përmendet “Te sahati”, mendja kërkon imazhin e një sahati, i cili sot për sot, është thjeshtë dhe vetëm një relikte që i mungon shkodranëve. Të paktën një pjese të tyre. Ata që janë mendjehapur dhe kërkojnë ruajtjen e vlerave e kujtimeve.
Sa mund të kushtojë rikthimi në shkëlqimin e dikurshëm? Sigurisht shumë më pak se degradimi i një simboli identifikues të Shkodrës. Edhe po u shemb fare, toponimin “Te sahati” nuk mund ta heqë më askush. Pak a shumë si tek sheshi para Radio Shkodrës, të cilin vazhdojmë ta identifikojmë si “5 heronjtë”, edhe pse vendin e tyre prej vitesh e zënë disa tuba vertikalë çeliku. /Nga Blerti DELIJA/