Gabime, kritika, akuza, fjalë dhe vetëm fjalë. Humbja e Vllaznisë dje ndaj Tiranës “ka djegur” jo pak dhe në Shkodër nuk e kanë pritur mirë atë.
Por në fakt, shumëkush duket se harron se skuadra edhe pas javës së 21-të është sërish në vend të parë. Ndonëse tashmë me vetëm tre pikë më shumë se ndjekësja më e afërt.
Megjithatë, Vllaznia është sërish e para. Kjo do të thotë se kritikat, akuzat dhe ofendimet duhen ndalur. Asgjë nuk ka përfunduar dhe të mërkuren skuadra do të udhëtojë drejt Durrësit për të luajtur ndeshjen e radhës ndaj Teutës.
Një fitore atje mund t’i rregullojë të gjitha. Por a mund të fitoje ky ekip? Nëse i referohemi ndeshjeve të fundit, ndoshta shumëkush mendon që jo, por këta futbollistë kanë treguar se dinë të luajnë edhe ndryshe.
Dinë të luajnë bukur aq sa bënë të gjithë Shqipërinë të fliste mirë për ta. Mund të ndodhë të luajnë sërish ashtu. Këta djem kanë nevojë për mbështetje. Tifozët këtë kanë për detyrë sepse është vërtetë bukur të festojmë të gjithë bashkë kur Vllaznia fiton, por duhet të jenë të gjithë bashkë edhe kur humbet. /ShkodraSport/