Të quash tradhëtar, dike që ka dashur e punuar për të rrezuar regjimin diktatorial të Enver Hoxhes, nuk është gjë tjetër, veçse keqardhje apo nostalgji për atë sistem.
Pavarësisht se me kë bashkëpunon për të larguar farën e keqe që zuri rrënjë në drejtimin e vendit pas luftës, nuk do të thotë se ke luftuar kundër vendit tënd e njerëzve të tu.
Partia nuk është Shqipëria.
Të trajtosh në menyre të njëanshme dhe spekulative figura të tilla e komplekse si Camaj e Koliqi, është dashakeqësi me dashje. Është një tjetër persekutim që i bëhet vlerave të tyre letrare e gjuhësore. Nuk është çudi që pak nga pak në tekstet shkollore, të fillohet e flitet për ta njësoj si në kohën e Enverit, si tradhtarë e kuislingë. Kështu shtrohet terreni për ti hequr fare edhe nga tekstet shkollore e më gjërë.
Nuk do të zgjatem shumë për të shprehur keqardhjen për denigrimin me qëllim të tyre, një gjë që duket qartë si drita e diellit. Për t’u parë mbetet arsyeja se përse ky sulm ndaj tyre në këto momente dhe përse nga një studiues si Auron Tare, i cili me këtë “púshkatim” pas vdékjès të Camajt e Koliqit, shenon hulumtimin e tij të parë ( sipas asaj që di unë) në fushën e spiunazhit.
Nuk mund të hamendësoj, sikurse bën Tare në studimin e vet të detajuar, por çudia është sesi nga kërkimet nënujore ai ka kaluar në gërmimet e arkivave të spiunëve të Sigurimit të Shtetit?!…
Për rastësi dhe jo domodoshmërisht lidhet me Auronin, por kur po mbyllja këtë shënim të shkurtër më ra ndermend një shprehje nga filmi “Përballimi”, ku një “kulak” i thoshte një funksionari të PK : “Gërmo Tare gërmo se aty kam qenin e ngórdhur “. /Nga Arben SHAQIR VATA/