![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2023/01/berisha-rama-bbvip-2023-1024x537.jpg?x28643)
Më pak se 4 muaj nga zgjedhjet vendore në Shqipëri, kryeministri i vendit, përmes ministrit të Drejtësisë, kallëzon në SPAK ish- kryeministrin. Përmes mediave ndërkombëtare është mësuar se kryeministri i vendit, është takuar me një ish- zyrtar të lartë të FBI- së, i cili akuzohet për lidhje të dyshimta me Rusinë. Jo vetëm kaq, përmes një ish- punonjësi të Sherbimit Informativ Shtetëror, ish- zyrtari i lartë i FBI- së ka marrë 225 mijë USD, me gjasë, nga burime financiare pranë qeverisë.
Paralelisht, në Tiranë ka plot një muaj që disa VIP- a janë ngujuar në një shtëpi luksoze në vijim të një spektakli reality show të quajtur BigBrother Vip Albania. E gjithë vëmendja në këtë spektakël është perqendruar tek raporti i një shkodrani, këngëtarit Luiz Ejlli me moderatoren Kiara Tito. Shqiptarët, brenda e jashtë vendit, janë gozhduar para ekraneve. Për të mos folur për shkodranët, të cilët nuk kanë përtuar as të protestojnë pranë shtëpisë BBVip në mbështetje të Luizit.
Ky është realiteti shqiptar, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt apo shumë kujt. Ndërkohë, duke nisur nga karburantet, çmimet vijojnë të jenë në stratosferë. Jetesa po vështirësohet çdo ditë, hemorragjia e ikje nga ky vend nuk po ndalet. Nga 2011 e këtej, zyrtarisht janë rreth 400 mijë shqiptarët e larguar. Të gjithë në garë, kush ikën më parë nga ky vend për një jetë më të mirë. Por çuditësisht, edhe ata jashtë kufijve vijojnë të mbeten shqiptarë. Vëmendja në maksimum për “fatin” e Luizit dhe Kiarës. edhe për ndonjë puthje të tentuar të Amosit me Dean apo Oltën.
Gëlojnë rrjetet sociale për BBVip. Pak kush e askush, as nuk merr mundimin të flasë për këtë vend. Si ishte dje, si është sot dhe si mund të bëhet në vijimësi. Muajin e fundit, janë të gjithë të lumtur. Abonimi në BBVip kushton nga 1900- 2900 lekë. Por ka mundësi të shihet edhe pa para, sidomos nga kompjutera apo laptop por edhe nga celularë. Janë programe apo softe pirate që e mundësojnë. Të paktën këto para, shqiptarët kanë mundësi ti kursejnë.
Ndërkohë, afrimi i 14 majit të zgjedhjeve, rrit optimizmin tek shqiptarët. Ata që janë këtu por edhe ata jashtë. Këta këtej kufirit, mbase mund të kenë mundësi të fitojnë ndonjë lek me votën e tyre. Patjetër që dikush do të ketë nevojë për të. Ata jashtë, mbase presin të përfitojnë ndonjë biletë trageti, autobuzi apo avioni që të vijnë në Shqipëri pa shpenzime. Një rrugë e dy punë. Votojnë por edhe takojnë të afërmit. Sponsorët dihen, janë në të gjitha anët.
Askush nuk e vret mendjen për paratë, nga vijnë apo shkojnë ato. Askush nuk përpiqet të kuptojë se zgjedhjet fitohen apo humben duke përdorur paratë e shqiptarëve. Kështu ka ndodhur këto 32 vite të paktën e me gjasë, historia do të vijojë e njëjtë. E ne, përherë e më pak brenda kufijve, do të vazhdojmë të jetojmë të lumtur. Jo si dikur, “në gojë të ujkut hedhim valle”. Më keq akoma, me barkun bosh, me të ardhmen e zymtë për vete dhe ata që sollën në këtë jetë pa iu marrë leje.
Ku po shkon ky vend? Vetëm në drejtimin e duhur jo. A ka ecur ndonjëherë?! Me shumë mundësi, nuk ka ecur asnjëherë. Pse duhet të ecë tani?! Përveç zgjedhjeve, muaji maj mund të sjell edhe ndonjë lajm të mirë për ndokend. Lotaria Amerikane edhe këtë vit duhet të përzgjedhë mes shqiptarëve. Por përsëri, largime, ikje, braktisje e këtij vendi. Edhe pse në “vendin e lirive e mundësive”. Ndërkohë, BBVip vijon të bëjë namin. Brenda asaj shtëpie, çdokush mund të shohë një copë të vetvetes. Edhe pse konsiderohen VIP- a, janë shëmbëlltyra e realitetit shqiptar të 32 viteve.
Qenkemi të gjithë VIP- a apo jemi i njëjti stereotip me fasadë të ndryshme. Nuk është çudi! Në vitet e pakta të mbretërisë, ky vend nuk ksihte në krye në Madhëri siç është monarku. Ndryshe nga mbretëritë e tjera, ne kishim një Naltmadhëri sepse i duhej të udhëhiqte e qeveriste të paktën 800 mijë madhëri poshtë tij. E vjetër e?! Sigurisht, për të rejat duhet të kthejmë “antenën” nga BBVip! Shikim të këndshëm të gjithëve, edhe vetes! /Nga Blerti DELIJA/