Rastësisht më doli përpara në rrjetet sociale një njoftim nga ato që të ashtëquajturat “imobiliare”, publikojnë. Në një nga zonat jo në qendër të qytetit, një aparment, pjesë e një pallati të ri, i ndërtuar nga një emër i njohur i kompanive të ndërtimit në Shkodër, kishte dalë në shitje. Për ta kuptuar më mirë, ishte një apartament me një kuzhinë, dy dhoma gjumi, dy banjë dhe një ballkon. Gjithsej, sipas reklamuesit, ishin 110 m2. Nuk cilësohej nëse ishin edhe hapësirat e përbashkëta të përfshira, siç është normale në çdo pallat.
Sigurisht, ndërtim i ri, edhe pse në periferi, me punime cilësore, çmimi duhej të ishte i lartë. Në fakt, për atë zonë banimi por edhe për të gjithë të tjerat edhe në qendër të qytetit, apo siç i thonim dikur “Te posta”, çmimi përbënte një rekord: 138.000 euro!!! Me celular, të cilit nuk i mungon makina llogaritëse, bëra një pjesim të thjeshtë: 138.000 euro pjesëtuar me 110 m2, rezultati 1254, 5 euro. Kaq kushtonte një metër katror tek ky apartament! 1254,5 euro një metër katror apartament, ku duhet të dëgjosh zhurmat e fëmijëve apo të komshinjve që zihen, duhet të rrish në radhë për të pritur ashensorin e përbashkët, të paguash tarifat e përbashkëta edhe për pompën e ujit të pijshëm, të mos kesh vend për të parkuar makinën apo lënë të sigurtë biçikletën.
Është vertetë interesante, në Shkodër, pavarësisht se monedha që përdoret është leku shqiptar ALL, çmimet e banesave në shitje apo me qira, reklamohen me euro, edhe pse kjo monedhë është rrëzuar përtokë përballë lekut tonë… Për kuriozitet, marr në celular një mik timin që jeton në Venezia dhe i dërgoj me Whatsapp foto- njoftimin me përllogaritjen 1245,5 euro për metër katror apartamenti në Shkodër. Mbeti i shushatur dhe mu përgjigj: Unë jetoj në Venezia Mestre dhe një shtëpi ku unë jetoj, rreth 120 m2, kushton 150.000 euro…
Biseda nuk zgjati shumë pasi miku im kërkoi ta shohë me sytë e tij në rrjetet sociale këtë njoftim. U ktheva në realitet dhe po krahasoja Tiranën dhe Shkodrën, sigurisht edhe çmimet e banesave apo qiratë. Natyrisht, çmimet në kryeqytet, janë shuuumë më të larta se në Shkodër, sepse e gjithë Shqipëria po i afrohet apo synon kryeqytetin për më shumë mundësi jete. Praktikisht, popullsia e Tiranës rritet çdo ditë. Po në Shkodër, si po shpjegohet kjo rritje e çmendur e çmimeve?! Kush po blen apo merr me qira?! Aq më shumë kur po çirret e gjithë dynjaja se Shkodra po shpopullohet, aludohet se në censusin e fundit, nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre as gjysma e popullsisë së qytetit, që përafërsisht duhet të numërojë 120 mijë banorë. Nga ana tjetër, nuk ka aq shumë “enigrantë”, e për më tepër, ata që kanë “pushtuar” fasonët, vijnë nga “vendet e treta” dhe paguhen aq sa sot, vendasit, shkodranët, nuk pranojnëtë paguhen sepse është pak. Po ashtu, akoma nuk ka aq shumë pleq italianë apo të kombësive të tjera që preferojnë të mbyllin jetën në Shkodër.
Në fakt, e ka një shpjegim. “Shpopullimi i Shkodrës” është gënjeshtër, mashtrimi më i madh i 34 viteve të fundit. Shkodranët po kthehen çdo ditë, po lënë përendimin dhe po blejnë shtëpi në Shkodër, po marrin banesa në Shkodër. Sepse kjo është logjika nëse nuk ka ndonjë “kleçkë” që askush nuk di ta shpjegojë. Tregu duhet të funksionojë me rregullin kërkesë- ofertë. Nëse ka kërkesa të shumta për të blerë shtëpi apo marrë me qira banesa, atëherë çmimi natyrisht rritet. Pra, Shkodra nuk po shpopullohet por po mbipopullohet! Nëse mendohej se kishte rreth 120 mijë qyteti, sot me patjetër duhet të jenë 240- 250 mijë vetë vetëm në qytet. Sepse edhe çmimi i banesave në shitja apo shtëpive me qira, është dyfishuar. Një metër katror ndërtim, me “çelësa në dorë”, nuk kalon 350 euro. Llogaritë bëni vetë, jo vetëm për çmimin që “frymëzoi” këto rreshta. Dhe mos mashtroni më, Shkodra po mbipopullohet nuk po shpopullohet… Pallatet vijojnë të ndërtohen përditë! /Nga Sokol N. SOKOLI/