
Shkodra është antikomuniste! Askush nuk e vë në dyshim. Më saktë, askush nuk e vinte në dyshim të paktën nga 8 dhjetor 1990. Kryeqendër e pakontestueshme e katolicizmit shqiptar, paralelisht edhe besimit islam, Shkodra nuk ka nevojë të bëjë shumë sforco për të provuar antikomunizmin e vet. Goditja e parë, e fortë, e perqendruar dhe e shtrirë në kohë, ishte pikërisht ndaj klerit dhe prijësve të tij.
Në rreshtin e dytë të kundërshtarëve të komunizmit, ishin intelektualët, njerëzit e dijes, ata që përndjenin kobin që po përfshinte këtë vend. Vështirë të gjendet në hapësirat shqiptare apo shqipfolëse një numër më i lartë intelektualësh e personalitetesh të goditur nga komunizmi se Shkodra. Sigurisht, mes këtyre dhe klerikëve, kishte lidhje të natyrshme, të dukshme e të padukshme.
45 vite diktaturë, kanë ndeshur në një rezistencë të gjithanshme të Shkodrës. Nga armët tek barcaletat, shkodranët tentuan me të gjitha mjetet ti kundërviheshin diktaturës. Asnjëherë rezistenca nuk u ndal, nuk u shua. Në dimrin më të errët të këtij vendi, nuk mungoi asnjëherë kundërveprimi ndaj komunizmit. Barcaletat shkodrane që lindën në Shkodër dhe që detyronin edhe komunistët të shtrëngoni muskujt për të mos qeshur, tregoheshin brenda e jashtë Shqipërisë si një fllad i lehtë lirie.
Antikomunizmi do të vinte në ballë Shkodrën që në ditët e para të 1990- ës, vit kur do të niste shembjen e diktaturës. Me 31 mars 1991, antikomunizmi vendosi Shkodrën në krye të përpjekjeve për të realizuar ndarjen përfundimtare me komunizmin. Me 22 mars 1992, për herë të parë shqiptarët dekretuan me votën e tyre shembjen e ngrehinës komuniste. Fatkeqësisht, vetëm materiale.
Të gjitha ndërtimet e kohës së komunizmit, u rrënuan në emër të një jete të re që do lëlëzonte gërmadhash. Çuditërisht, një ligj komunist, si ai 7501, mundi të mbijetojë e shkakton akoma probleme të shumta tash 32 vite. “Çeku i bardhë” duhet të sillte begatinë e shumë kërkuar, duke çrrënjosur përfundimisht komunizmin, më shumë si mendësi. Pritej që ky vend të ecte përkah forcimi ekonomik, paralel me integrimin europian. Me shpresën që përveç se gjeografikisht, të ndjeheshim shpirtërisht pjesë e Europës.
Nuk ia kemi dalë! Fatkeqësisht, kemi dështuar! Të gjithë bashkë, të ashtëquajtur të djathtë në pushtet e sivëllezërit e tyre të ashtëquajtur të majtë në pushtet. Në fakt, edhe kur kanë ndryshuar vendet respektivisht në opozitë. Jemi vendi më i varfër i Europës e ndër të fundit që presim të na hapet dera politike e saj. Sigurisht, jo për faj të shqiptarëve. As shkodranëve.
Sot, 33 vite nga starti i demokracisë, kur duhet edhe 12 vite që të barazohemi me vitet e diktaturës, antikomunizmi vijon të mbetet tezë, slogan, motiv jetese e mbijetese. Kemi harrur të gjithë se këto 33 vite, ka kanë qeverisur të njejtët, të dalë nga i njëjti burim, “mitra e përgjakur e Partisë së Punës (Komuniste)”. Askush përtej kësaj liste, nuk ka mundur asnjë ditë të ketë në dorë skeptrin magjik të ndryshimit të këtij vendi.
Kur kanë mbetur më pak se 45 ditë nga zgjedhjet e radhës në këtë vend, antikomunizmi vijon të artikulohet sërish. Ngjan shumë me atë rrëfenjën që kemi dëgjuar që në fëmijëri, kur lavirja i thoshte lavires “ma mbaj pak kopilin sa ti them kurvë asaj tjetrës”. Mjafton që secili të provojë të ngrejë pak kokën, për të parë atë që ka liqer, që adhuron tash 33 vite, në njërin krah apo tjetrin, në të gjitha anët.
E askush nuk kujtohet se po farohemi, po çrrënjosemi për tu rikthyer pas shumë dekadash apo ndoshta për të mos ardhur më kurrë në këtë vend. Për të ndërtuar mbase diku një Shqipëri apo Albani tjetër. Sepse nuk kemi kohë, dëshirë e mundësi të merremi me asgjë tjetër, veçse të tundim antikomunizmin. Si tezë apo anti tezë, për 33 vite nuk na ka çuar askund. Megjithatë, vazhdojmë ta përkundim në djep. Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që votojnë apo kanë të drejtë të votojnë, janë në moshën e Krishtit kur iku nga kjo botë. Meqenëse jemi edhe në prag të Pashkëve! /Nga Blerti DELIJA/