NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

OPINION – Shémbja e Teatrit, rënia e dominosë së fundit…

Veprimi i fundit i prishjes me dhúnë të Teatrit Kombëtar në mes të natës ishte një akt force dhe mesazh i qartë për çdo qytetar shqiptar. Ëndrra 22- vjeçare sot u bë realitet ndonëse një realitet i trishtë për të gjithë historinë e një qyteti dhe një minim i qartë i vlerave të demokracisë.


Teatri Kombëtar nuk simbolizonte vetëm godinën, por vlerat kulturore dhe artistike të një shteti. Shémbja e Teatrit ishte për të treguar para kujtdo qytetari që ndoshta propaganda se kishte lënë për të parë, para çdo ndërkombëtari që kishte kërkuar dialog dhe para të gjithë botës se në Shqipëri ka një dorë të fortë që vepron mbi këtë popull.

Teatri u përdor si alibi për të dërguar shumë mesazhe njëherësh e shumë paralajmërime. Është ky pushtet që sot kontrollon gjithçka duke nisur nga ékzekutivi, gjyqësori e deri te pushteti vendor. Gjyqësori është “ngrirë” si pasojë e reformës në drejtësi, gjykata kushtetuese është jashtë funksionit.

Cili është ai institucion që mbron qytetarët? Ky pushtet e tregoi me Teatrin që nuk di të reflektojë. Tashmë që edhe gjykatat mungojnë, ky popull rezulton i pambrojtur. Kur ata kolegë politikanë që herë janë pajtuar e herë janë ndarë u morën zvarrë nga policia e u dhúnuan, çfarë duhet të mendojë populli?

Sot është instaluar përfundimisht institucioni i frikës. Njerëzit shohin se para tyre nuk kanë të bëjnë më me një qeveri normale, por me një pushtet që për të realizuar qëllimet dhe synimet e tij nuk pyet më për askënd. Duhet të ndërgjegjësohemi se çfarë situate po përjetojmë.

Teatri ishte dominoja e fundit e shpresës që këtu mund të kishte një revansh pozitiv, ishte kalaja e fundit që për të treguar se këtu ende ka shpresë për reflektim. Po kjo nuk ndodhi e si mos më keq u veprua në pabesi. E gjithë mënyra e veprimeve të ndërmarra treguan se qëllimi nuk ishte Teatri, por arritja e pikësynimit. Po pse pikërisht tani?

Kjo pandemi e nxori zbuluar ekonominë shqiptare dhe u kthye në një bumerang për pushtetin. Historia jonë na e ka mësuar që ne dimë gjithmonë që skandalet t’i mbulojmë me skandale të tjera akoma edhe më të mëdha. Vetë situata me pamundësi lëvizjeje, me qytetar që kanë probleme ekonomike, të papunësisë e si do të dalin nga kjo pandemi, u shfrytëzua për të realizuar ëndrrën e vjetër të pushtetit.

Shémbja e teatrit i prek të gjithë qytetarët dhe kështu duhet të jetë. Populli e adreson gjithmonë fajin te mungesa e fleksibilitetit të opozitës. Po ne si popull a kemi përgjegjësi? Ku janë shqiptarët këto 30 vite? Ne vetëm heshtim dhe fajsojmë të tjerët për pafuqinë tonë. E duam Europën dhe shpesh e përdorim si slogan këtë për t’i hedhur hi syve vetvetes.

Në Europën që shumë e duam, populli del dhe mbush sheshet, del dhe vë përpara përgjegjësisë si opozitën ashtu edhe qeverinë kur ata ia cënojnë të drejtat. Shqiptarët heshtin dhe kanë 30 vite që herë drejtojnë gishtin nga njëri krah dhe herë nga krahu tjetër. Ne duam që të tjerët të protestojnë për ne, prandaj jemi këtu sot. Duhet secili të reflektojë te ajo që ai vetë bën më pas të drejtojë gishtin tek të tjerët.

Teatri u shémb e bashkë me të ra edhe fasada e demokracisë. Sot forca e pushtetit mund të depërtojë kudo përsa kohë secili nga ne mbyll sytë dhe pranon këtë realitet. Identiteti i një kombi ngrihet nga ajo që ai trashëgon ndër breza.

Në çdo qytet të botës ka zonën e vjetër dhe historike dhe atë të renë të ndërtuar më vonë. Tek ne ndodh e kundërta. Ne prishim të vjetrën për të ndërtuar të renë. Kështu ia kemi humbur identitetin kombit tonë, kështu kemi shkatërruar vlerat. Sot ishte Teatri nesër mund të jetë muzeu apo diçka tjetër.

Vendosja e autoritetit me dhúnë tregon se jemi në hapat e një pushteti anormal neodiktaturesk. Ata policë që kapnin si kriminelë artistët janë tabloja e degradimit të pushtetit. Aktet e dhunës janë të patolerushme ndaj kujtdo qofshin ato. Populli duhet të marrë një mësim sot që nuk vazhdohet më duke heshtur, por të reagojmë në mbrojtje të të drejtave dhe të trashigimisë sonë. /Nga Kolindo VJERDHA/