Nuk ka asgjë të keqe! Vokacioni (thirrja e brendshme) për tu bërë pjesë e një partie politike, mund të të vijë edhe në një moshë relativisht të rritur. Edhe pse ke patur mundësi të angazhohesh në rininë e hershme, edhe pse me shumë mundësi, nuk i kanë munguar ofertat as asaj dhe as bukurosheve shqiptare që përfaqësojnë imazh publik. Rasti më i fundit, është ai i socialistes më të re, ish- Miss-it të parë shqiptare, Valbona Selimllari.
Gjatë pjesës më të madhe të jetës, ajo ka preferuar një profil të ulët. Nuk ka dashur të shpërfaqë jetën e saj familjare apo private, angazhimet e përditshme edhe në sfera jashtë spektaklit.
Selimllari ndryshoi qasje pak pa hyrë pranvera e vitit 2017, kur u bë këshilltare e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Nga ajo kohë, ish- Miss-i i parë u bë mjaft aktive, falë edhe daljeve publike të përditshme apo të përjavshme në një spektakël talent- show.
Sot, Selimllari bëri një hap të rëndësishëm. “Tek Partia Socialiste jam sepse ne kemi një thënie nga Përmeti. Unë jam përmetare me origjinë dhe themi: Ai djali dhe ajo vajza po janë punëmbaruar dhe kjo fjalë më ka mbetur gjithmonë në mendje se ma thoshte gjyshi dhe nëna: “Punëmbaruari është gjithmonë i suksesshëm” dhe në fakt unë jam me punëmbaruarit, sepse për hir të së vërtetës nuk kemi kohë të humbim me ata që s’mbarojnë punë.”, deklaroi Selimllari, e cila zyrtarisht është socialistja më e re e Shqipërisë.
Si çdo qytetar tjetër, edhe një ish- Miss, edhe pse afër gjysmës së shekullit të kaluar mbi këtë tokë, mund të përqafojë një bindje politike, edhe publikisht. Këtë bëri sot Selimllari, e cila “çon në pajë” tek PS-ja edhe imazhin e saj të krijuar me kujdes për 30 vite, simpatinë e ndjekësve të saj.
Nuk ka asnjë për tu habitur. Edhe më herët, shumë parti politike kanë afruar figura të njohura nga bota e spektaklit, artit, sportit. Në Shqipëri dhe jashtë saj, është nj fenomen i njohur. Por kthehuni pak rreshta më sipër dhe lexoni një rresht: “Unë jam me punëmbaruarit, sepse për hir të së vërtetës nuk kemi kohë të humbim me ata që s’mbarojnë punë”. Selimllari duket se ka hyrë në rradhët e PS-së, duke hyrë menjëherë edhe në diskursin politik. E kuptueshme, sepse tashmë jemi në mes të një fushate elektorale. Edhe fjalët e artikuluara nga Selimllari, nuk ka dyshim që janë përgatitur e përzgjedhur me shumë sukses nga “specialistë”, siç i quante dikur i ndjeri Pjetër Arbnori. Artikulim, i cili të kujton një ish- politikan të famshën në Shqipëri që sot, është një nga “boss”- ët e mediave në këtë vend.
Tani Selimllari është pjesë e politikës. Përveç se do të jetë në qendër të vëmendjes si ish- Miss-i i parë shqiptar, nga sot do të jetë edhe shenjestës për shkak të pozicionimit të saj politik. Të paktën, kështu ka ndodhur këto 30 vite në këtë vend e Selimllari, vështirë të bëjë përjashtim.
Kam përshtypjen që Selimllari, nuk do të jetë thjeshtë dhe vetëm një aset imazhi për Partinë Socialiste në prag të 25 prillit. Shpërfaqja publike si antarja më e re e Rilindjes, artikulimi i pastër politik që në prezantimin e parë, tregojnë shumë. Veprimi i sotëm nuk është vetëm shprehje mirënjohje për postin në Bashkinë e Tiranës që mbarn prej rreth 3 viteve e gjysmë. Nuk është as “mahnitje” nga aftësitë e spikatura të një eksponenti të lartë socialist i Veliaj dhe që pati mundësi t’ia konstatojë në vetë të parë nga afër si këshilltare. Natyrisht, Selimllari nuk ka nevojë për një rrogë që i ofrohet sot në bashki e që nesër, pak më e lartë si socialiste, do ti ofrohet në një dikaster tjetër.
Me shumë mundësi, dhe koha do ta tregojë, Selimllari do të jetë në lista, në një vend të sigurtë të gjetur nga kryetari Rama, edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Nuk është aspak çudi, që pas daljes së Selimllarit, të ketë edhe të tjera të VIP- ave pranë saj. Është një gjetje e ramës për të ofruar vota përmes përfaqësuesve të botës së artit, simpazitantëve të tyre, tashmë që votat e qytetarëve të thjeshtë mbështetës të dikurshëm, nuk i dalin.
Nuk kemi fakte, por besojmë që në kohën kur ishte dyshe prezantuese e famshme me Adi Krastën, duhet të ketë patur oferta për përfshirje në politikë, ndoshta edhe nga e djathta, mbase edhe nga vetë PD-ja. Por çfarë e ka bindur Selimllarin pikërisht në këtë moment, pikërisht me PS- Rilindjen?! Ndoshta nuk është e vështirë të hamendësohet, të paktën deri sa të dalin indicie apo fakte konkrete. E sigurtë është se nuk është çeshtje rroge, qoftë si këshilltare e kryebashkiakut Veliaj, qoftë në një dikaster tjetër apo edhe me rrogë deputeti nesër. Por nuk mund të thuhet thjeshtë dhe vetëm se është punë PPP- shë apo tenderash. Besojmë se nuk do të vonojë dhe do të zbulohen gjëra. Sepse të jesh në syrin e ciklonit politik, nuk është e lehtë. Edhe për ish- Miss-in e parë të Shqipërisë! /Sokol N. SOKOLI/
P.S. Asnjë media tradicionale apo portal, nuk ka guxuar sot të shkojë përtej lajmit të thatë për këtë “event” në rradhët e Partisë Socialiste. Madje as mediat pranë opozitës.