
Saimir Rrustemi i “ka shkelur në tela” dikujt. Ky ishte perceptimi i parë kur në media, kryesisht portale, “plasi” lajmi për arrestimin e njërit prej policëve më të njohur e vlerësuar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Arsyeja e thjeshtë, të paktën po sipas perceptimit tim. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për arrestimin “e bujshëm” të Saimir dhe 16- 17 kolegëve e të tjerëve të përfshirë në një aferë…2 milion lekë ose me gjuhën e përditshmërisë, 20 milion lekë të vjetra.
Mbrëmjen e kaluar, si mijëra shkodranë të tjerë, isha në stadium për ndeshjen Vllaznia- Universitatea. Ma kërkonte syri shef Saimirin, aq më shumë kur shquaja nga tribuna kolegët e tij, miqtë e mikeshat që sa bashku ishin të pandarë jo vetëm në kuadër të Policisë së Shtetit por edhe të IPA Albania. Saimiri mungonte, ndoshte në një nga dhomat e shoqërimit, ndalimit apo paraburgimit në DVP Shkodër, mu në atë vend ku ai bashkë me kolegë të tjerë, dërgonte shkelësit e dyshuar të ligjit.
Shuma qesharake 2 milion lekë si “abuzim”, po të pjestohet me antarët e grupit “kriminal” të arrestuar me bujë nga uniformat blu të Shkodrës, kthehet në tragjike. Tragjike në kuptimin e lehtësisë së hedhjes së prangave, privimit të lirisë, dëmit të jashtëzakonshëm moral, që i bëhet individit. Në jo pak raste, ndalime të tilla, edhe vetëm disa orëshe, kanë njollosur karriera të shkëlqyera dhe jo vetëm në Policinë e Shtetit. Nuk marr përsipër të bëj prokurorin apo gjykatësin, por po të isha në vendin e tyre, do ta mendoja para se të vendosja prangat në duart e çdo individi, qoftë ai polic, zyrtar shteti apo edhe qytetar i thjeshtë. Ndoshta është koha të rishikohet edhe Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale etj.
Personalisht besoj se Saimir Rrustemi shumë shpejt do ti rikthehet lirisë së merituar, edhe punës. Por a do të jetë i njëjti shef policie që ishte deri para pak orëve? Duke e njohur natyrën, karakterin, vendosmërinë e tij, besoj se po. Por në fund të fundit, edhe ai është njeri, ka familje, bashkëshorte, fëmijë, të afërm. Pavarësisht se për shkak të angazhimeve të tij, jo pak herë mund të kenë dalë në plan të dytë, jam i sigurtë se janë pjesa më e rëndësishme e jetës së Saimirit, për të cilët është i gatshëm, si çdo njeri tjetër, të arrijë deri në sakrificë sublime.
A kanë menduar ndonjë sekondë prokurori, gjykatësi, oficeri i policisë gjyqësore apo edhe kolegët policë këtë pjesë, teksa i kanë vendosur prangat Saimir Rrustemit? A e kanë menduar që, një simbol të policit të përkushtuar, profesionist e të ndershëm si Saimiri, po e godasin publikisht dhe në pikën e tij më të fortë, ndershmërinë? A e kanë menduar se sa do të vuajnë familjarët, fëmijët, të afërmit këtë linçim publik që i bëhet njeriut më të dashur të tyre?
Disa ditë më parë, rastësisht, më doli përpara në rrjete sociale, një festë ditëlindje. Saimiri, bashkëshortja e tij, të lumtur mbase më shumë se asnjëherë. “Kukulla e babit!”, kishte shkruar Saimiri si koment të një video ku festohej një ditëlindje. U ndjeva shumë mirë, u gëzova që Saimir gjeti kohë për familjen, fëmijët. Jo se nuk e ka gjetur, por perceptimi ynë si gazetarë ishte se ai e kishte të vështirë të festonte jo vetëm për mungesë të kohës.
Sot iu riktheva sërish këtij postimi sepse Saimin përveçse të njohur në jetë për shkak të profesionit, e kam edhe në rrjete sociale. 429 komente dhe përveç atyre të urimit për ditëndjen e vajzës, kishin nisur të zinin vend edhe mesazhet e solidaritetit, mbështetjes për Saimirin në një moment aspak të lehtë të jetës së tij. Realisht, u ndjeva keq duke menduar se edhe vajza e tij mund ti lexonte poshtë urimeve për ditëlindjen, sepse ajo festonte 10 vjetorin, moshë e mjaftueshme për të kuptuar…
Po përpiqesha të gjeja disa rreshta për të mbyllur këto paragrafë dhe në mendje më kaluan inceneratorët me vlerë gjysëm miliardë euro por edhe ish- shefat e Saimir Rrustemit, njëri adash i dënuar në disa shkallë gjykimi dhe pas hekurave, një tjetër ligjvënës në Kuvend. Nuk dija çfarë të vazhdoja, prandaj ky shkrim mund të jetë disi i paplotë… /Nga Blerti DELIJA/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!