Në narrativën e abstraguar të politikës krijohen nocione mes të cilave ngrihen pikëpyetje hamletiane. Kuptohet që prizmusi analizues kalon në disa nivele arsyetimi dhe shpalos dimensione mendimi. Në këtë formë obsesimi ne mund relativizojmë elemente të cilët na çojnë më pas drejt konkluzioneve fraktare.
Nëse do e ndalnim analizën në lidhjen simbiozike shoqëri- klasë politike do shtronim pikëpyetje abstrakte që shpalosin funksionimin e kësaj lidhje. Një aksiomë e shumëpërfolur në retorikën e përditshme perifrazon faktin që një popull meriton qeverisjen që ka. Në planin konceptual mund të themi se qëndron një fakt i atillë nëse arsyetojmë se nga ku e ka gjenezën një klasë politike. Faktikisht burimi është tek shoqëria, pra janë pjesë e saj dhe është kjo e fundit që zgjedh përfaqësimin.
Nëse një qeveri është e dështuar kjo tregon se zgjedhja ka qënë e dështuar e nëse një klasë politike është e tillë atëherë shoqëria ka dështuar. Padyshim që kjo vlen për çdo lloj zgjedhje që ne bëjmë. Në këtë prizëm të analizës faktojmë se roli jonë si shoqëri tejkalon atë për të cilën ne gjykohemi në veprimet që ndërmarrim. Këto dy diapazone shkojnë ngushtësisht të lidhur dhe karakterizohen nga varësia bio-gjenetike. Nëse ne zgjedhim të qëndrojmë të heshtur dhe lejojmë që kjo “krijesë” e jona të definohet në atëvrasëse atëherë kemi zgjedhur të shkatërrojmë amalgamat zhvilluese dhe përparuese.
Klasa politike është pasqyrim i shoqërisë dhe definimet për ta kthyer të paqënë këtë fakt thjesht janë përpjekje për të relativizuar një të metë. Ne jemi pasojë e veprimeve që ndërmarrim dhe zgjedhjet janë një e tillë. Klasa politike është definicioni i shoqërisë dhe të dyja shkojnë si një binom interesi. Pra nëse shoqëria përmirëson veten njëkohësisht edhe politika duhet të rigjenerohet ndonëse realiteti është ndryshe. Politika ushqehet nga shoqëria, por pasi fuqizohet me pushtet nuk i bindet më. Kjo na çon më pas në “kaosin” politik që ndodhemi sot, ku klasa politike merret si një e tërë pa dallime mes saj. /Nga Kolindo VJERDHA, për ShkodraWeb/