Shqipëria duhet të jetë vendi ku fëmijët do të ikin jashtë për të marrë e për tu kthyer, jo për të humbur: një vend ku njerëzit që japim maksimumin e tyre në art, shkencë, ekonomi njihen dhe vlerësohen. Asnjë çmenduri nuk duhet të shembë atë që ndërtohet për vendin, sepse do të jetë far për brezat.
Institucionet qëndrojnë mbi ligjet e një vendi, janë të popullit dhe askush të mos mendojë se mund të zhvasë. Këtu do të rritet femijët tanë dhe duhet të mesojmë ta duam para se ta gjykojmë. Ky është një vend ku diversiteti është vlerë dhe çdo njeri duhet të ndjehet i lirë në ekzistencën e vet, sepse kjo nuk prek as dinjitetin e as integritetin e askujt tjetër.
Vëllazëria fetare është një prej pilastrave më të fortë që kemi, duhet ta ruajmë e ta trashëgojmë. Traditat janë të rëndësishme, ato janë tonat, na kujtojnë kush ishim, por ndryshimi i mendësisë dhe ecja me kohën është e rëndësishme po kaq. Ne vijmë nga ilirët dhe jemi autokton, jetojmë në Europë, ky është identiteti ynë. E thjeshtë.
Jemi popull që e duam lirinë, edukimi me ligjet dhe qytetarinë do të na mësojë mbi të gjitha përgjegjësinë e lirisë dhe është detyrë e çdo qeverisjeje të punojë për këtë.
Ne krenohemi me Skenderbeun, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Migjenin, Naim Frasherin; por ata na lanë amanet punën, jo lavdinë. Zoti nuk ka mallkuar kurrë as vendin e as shqiptarët, e kanë mallkuar pak nga injoranca e pak duke bërë hesape. Nuk ka shenjtorë, ka njerëz që besojnë në kauza, janë të miret, guximtarët, artistët, luftëtarët, sportistë, shkencëtarë, politikanë…të njohur e të panjohur, Shqipëria është e atyre, boll me hiena: e keqja është qesharake kur e mbulon injoranca, por ta kuptosh pa bërë gjë nuk vlen. Një nga një jemi qirinj, së bashku askush nuk ndal askënd. Kujdesuni për të mirën, mbroni të pambrojturit, krijoni të bukurën, përhapni kulturën dhe do të lini gjurmë. E atëherë do të jetë dhe paqja e Zotit mbi këtë vend. /Nga Doriana METOLLARI, HermesNews.al/