“Nevoja s’ka gjyq”, është një nga shprehjet me të cilat shpesh justifikojmë qasjet “e çuditëshme” publike dhe jo vetëm të shumë individëve. Është një shprehje e thjeshtë por në vetvete, ka një mesazh shumë real, të vertetuar në përditshmëri. Në rastet ekstreme “nevoja” përmblidhet tek “buka e gojës” apo edhe “mbijetesa ekonomike” e individit apo familjes.
Çdokush në këto rrethana, është i justifikuar në çdo kompromis të mundshëm publik, gati- gati edhe me të keqen. Moralizmat përballë nevojës ulëritëse për mbijetesë, nuk arrijnë në timpanin e veshit, aq më pak, përmes tij, të godasin trurin për reagim. Kjo kategori, duke shfrytëzuar edhe hapësirat mediatike pa pagesë- rrjetet sociale, herë pas here “rrahin gjoksin” me shpresën se “i duhuri” do ti lexojë, përgëzojë, pse jo edhe shpërblejë me një mënyrë apo tjetër, sot larg pushtetit ose nesër, në pushtet.
Krejt ndryshe është perceptimi për një tjetër shtresë apo kategori, shumë e vogël në numër, më elitare, e mirëlexuar dhe mirëartikuluar, që përdor me kujdes (në shumicën e rasteve të paktën) edhe karakteret e veçanta të tastierës EN, me kode ALT+numër, për të gjeneruar edhe Ë, edhe Ç. Kjo, sepse akoma nuk i ka orientuar dikush se tastiera EN mund të gjenerojë karaktere në SQ por duhen shtypur gërma të tjera, jo ato që shihen me sy.
Teorikisht të paktën, problemin elementar ekonomik, mbijetesën, e kanë të zgjidhur. Sepse klasifikohen me dëshirë dhe me përkëledhi si intelektual të këtij qytet e këtij vend. Besojmë se këta intelektualë, kanë përgjegjësinë morale publike të mendohen të paktën 5 minuta para se të pozicionohen gati- gati në mohim të së vertetës, evidentes, asj që shihet me kilometra larg, pa syze e pa dylbi.
Një pjesë e tyre, sigurisht janë në linjën e tyre shumëvjeçare. Sidomos në kuptimin politik, edhe pse përpiqen të shfaqen “të ftohtë” në pozicionimet e tyre publike. Sigurisht, ata janë kritikët e përhershëm, “me shpatë në dorë”, dhe që janë kritikë të papajtueshëm me atë që nuk ka të njëjtën ngjyrë politike me ta. Kur pushtetet ndërrohen, nga bardh e zi, shohin me ngjyra çdo gjë që vjen nga linja e tyre politike.
Më manipulatorët janë ata intelektualë që shfaqen “të panashëm”, anjëherë të pozicionuar publikisht politikisht dhe që kamuflohen “më katolikë se Papa” për të marrë pozicionin e nihilistit (mohuesit të gjithçkaje) deri në ekstrem, për të quajtur natën- ditë e ditën- natë. Sigurisht, kthehen në qesharakë, edhe kur kanë për të paguar ndonjë borxh për katapultimin e përnjëhershëm dhe të papritur edhe në sytë e publikut, por që i zvogëlon dukshëm si “intelektualë”.
E për ta mbyllur, një ngjarje e disa viteve më parë është tregues i “kamikazllëkut”, ndoshta edhe të pakërkuar të “intelektualëve”. Nga 1997-a deri në 2002, komunikimi publik i dukshëm Nano- Berisha, ishte gati- gati armiqësor. Sigurisht, përveç militantëve në të gjitha nivelet, u pozicionuan në krahët respektivë edhe “intelektualët”. Nano- Berisha, nisën në periudhë afrimiteti dhe bashkëpunimi edhe publik, që u kulmua me zgjedhjen e presidentit konsensual në 2002- in. Por nga ajo kohë, dy “intelektualët” në Shkodër, të poziconuar asokohe krah Nanos e Berishës, sot vazhdojnë të jenë “armiq ideologjikë” akoma. Vetëm me një ndryshim, ai që mbështeste Nanon aso kohe, sot është rreshtuar nga “e djathta”. Tjetri vazhdon të qendrojë stoik në “transhenë” e tij ideologjike. Praktikisht, në të njëjtën anë, edhe pse “armiq” të pahershëm dhe antagonistë. Nuk duhet të harrojmë se Shkodra është e para! /Editorial nga Sokol N. SOKOLI/