Ka disa ditë që rrjetet sociale por edhe mediat tradicionale janë pushtuar nga mesazhi (i drejtë!) “mos e shit votën”. Zyrtarisht apo publikisht, askush nuk është në favor të tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve përmes tregtimit të votës. A mos ndoshta thirrja e duhur, mbase më logjike do të ishte “mos e bli votën”?
Ai që shet, është gjithmonë i humbur, është një nga shprehjet e tregtarëve të hershëm të Shkodrës. Kjo pavarësisht vlerës që fitohet nga shitja e një malli, çfarëdo qoftë ai. Por që të shesësh, dikush nga ana tjetër duhet të jetë i interesuar për të blerë.
Të kthehemi tek tregtia me votën. Nuk ka asnjë dyshim që, ata të cilët duan ta shesin, janë më të shumtë në numër nga ata që duan ta blejnë. Rrjeshimisht, nëse ka vullnet, është më e lehtë të kontrollohen ata që duan ta blejnë votën.
Përgjithësisht, ata që duan ta shesin votën, qoftë me para, thasë mielli, trafik influencash apo premtime për vende pune, janë shtetas të thjeshtë, pa poste e ofiqe. Në të shumtën e rasteve, janë në prag apo të zhytur në varfëri, në një moment të vështirë ekonomik ose social, mbase edhe duan karrierë të lehtë.
Ata që kërkojnë ta blejnë votën, përgjithësisht janë të pushtetshëm ose në kërkim të pushtetit, si instrumentë për tu pasuruar apo edhe sunduar, më shumë se qeverisur. Direkt ose indirekt, janë ose aspirojnë të bëhen funksionarë të shtetit. Do të paguhen me rroga të majme nga lekët që ne ua japim përmes taksave, do të mbushin (jo të gjithë, kuptohet) valixhet e llogaritë bankare po me paratë e taksave tona duke i vjedhur nga buxheti e institucionet, shkurt: nga një votë e blerë me kosto qesharake, ngrejnë piramida pasurimi në kurrizin e atyre që e shesin votën.
Sigurisht, ky sojsorollop, janë më të paktë se ata që duan të shesin votën, përfshi madje edhe sekserët pas tyre. Edhe gjurmimi apo kontrollimi i tyre që në zanafillë, është më i lehtë për shtetin e strukturat e tij.
A mos është më mirë që nga “mos e shit votën”, thirrja të transformohej “mos e bli votën”? Sepse votën e shet ai që është i varfër, ka një hall, një pamundësi që kërkon ta zgjidhë, edhe pse me rrugë të gabuar. Ai përballë tij, blerësi, është pasanik, i pushtetshëm ose aspirant për i tillë.
Në një vend të zhytur në varfëri, me të rinj që ëndërrojnë braktisjen e vendit, me pensionistë nën kufijtë e mbijetesës së përcaktuar nga Banka Botërore, me rroga nën nivelin mesatar të të gjitha vendeve të Ballkanit, është e pakuptimtë, e turpshme që sot trysninë ta peshojmë vetëm mbi supet e atij që kërkon të shesë votën. Ai që e shet, është po aq fajtor sa ai që kërkon ta blejë. Por ai që kërkon të blejë, josh bazuar mbi varfërinë që e ka lënë të lulëzojë, pikërisht duke abuzuar me pushtetin që ka siguruar me blerjen e votës! Pra, në mes shitjes e blerjes së votës, është gjithmonë politika. E thjeshtë për tu kuptuar se pse thirrja që përsëritet deri në lodhje, me synim arritjen e qëllimit është “mos e shit votën” dhe jo “mos e bli votën”. /Nga Blerti DELIJA/