![edi rama opinion](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2020/10/edi-rama-opinion.jpg?x67299)
Edi Rama është paraqitur mjaft i tensionuar në një bisedë televizive, përballë gazetarëve. Që nga fillimi i emisionit u vu re se qëllimi nuk ishte përgjigja ndaj pyetjeve të gazetarëve, por krijimi i një situate superioriteti deri në tallje me ata që kishte përballë.
“Pusho” dhe “Mëso” janë përsëritur me qindra herë nga goja e kryeministrit, drejtuar gazetarëve në studio. Edhe ajo mundësi komunikimi e shkurtër përmes teletofinit me liderin e Opozitës që po e shmang prej kohësh si “djalli- temjanin”, u karakterizua nga batuta “Lul, ik fli Lul”.
Nuk ishte aspak e vështirë të kuptohej se Edi Rama po kërkonte aleancë me atë që ai e konsideron akoma pikë të fortë, qasjen si “trim” ndaj gazetarëve e karizmatik me ata që e ndjekin përmes ekraneve të televizionit.
Luhatjet humorit të kryeministrit përgjatë bisedës me gazetarët, janë tregues i paqëndrueshmërisë së tij psikike. Edhe pse është investuar “me mish e me shpirt” në atë që e konsideron “luftë” me Covid- 19, Edi Rama pati mundësi që stërkalat e tij, t’ia shpërndajë gazetarëve, të cilëve iu afrua në raste të veçanta edhe në një distancë më pak se 1 metër. Madje, duke bërtitur me zë të lartë dhe ku prodhimi i stërkalave dhe nxjerrja jashtë gojës së tij, ishte e garantuar.
Pavarësisht se përbetohet për barazi gjinore e përkrahje të zonjave në çdo aspekt të jetës, Edi Rama iu drejtua disa herë me një gjuhë aspak etike një gazetareje në studio. Megjithë kamuflimin përmes lojës së fjalëve me përdorimin e termave “metaforë”, “alegori” etj., kryeministri ushtroi dhunë verbale ndaj kësaj gazetareje por edhe kolegëve të saj në studio. Ndërsa gazetarit Rakipllari, Rama i lëshoi “live” kërcënime të hapura si një “i fortë” i lagjes.
Realisht, Edi Rama nuk iu përgjigj plotësisht asnjërës pyetje të gazetarëve. Si “specialist” i komunikimit, ai u bazua qartë në parimin “pyet çfarë të duash, përgjigjem çfarë dua unë”.
Nuk munguan në këtë emision spektakël për audiencën por shumë të dobët në kuadër të llogaridhënien së një kryeministri përballë gazetarëve me përvojë, edhe skena prekëse, të interpretuara jo pa aftësi nga kryeministri, duke bërë të bien në granckë e të mbeten zëmekur edhe ata që kishte përballë në studio. “Ka filluar të flasë për Anetën si Enveri për Anenë”, ishte fraza që tregoi shpirtin e “ndjeshëm” të kryeministrit dhe që iu lexua Ramës nga Fevziu si mesazh i ardhur nga Berisha, të cilit shefi i qeverisë i bëri një gjysmë urimi publik për ditëlindjen.
Ajo që në fakt, besoj e kuptuan lehtë ata që ishin në studio e ata përballë ekranit të televizorit, ishte se “ëndrra e mandatit të tretë” ka nisur ta marrë përpara Edi Ramën. Për të nuk ka më asgjë rëndësi, as milionat e inceneratorëve që nuk punojnë, as premtimet për rroga alla- europiane për kategroi të caktuara, as “ngënia e fjalës sikur ha një salsiçe” për ndihmën e tretë ekonomike për shkak të pandemisë.
E kërkon me çdo kusht dhe me ngulm mandatin e tretë për shumë arsye, asnjëra në shërbim të vendit e shqiptarëve, por më kryesorja: E di që nëse rrëzohet nga kali, nuk do të ketë mundësi të ngjitet sërish. E veç kësaj, i heqin edhe fronin në Rilindje, duke ia rikthyer emrin e PS-së me të cilën lindi në 1991.
Se çfarë do të vendosin shqiptarët me 25 prill 2021, nëse do të lihen të votojnë të lirë, nuk dihet. Por qëllimet e kryeministrit në rrugëtimin drejt këtij takimi të rëndësishëm, janë të qarta. Edhe pse emisioni duket se ishte një tribunë në favor të Edi Ramës, një pyetje në fund të emisonit shumëzoi me zero çdo gjë: Pse e kërkoni një mandat të tretë kur ju jeni vetëm kundër të gjithëve?! /Nga Blerti DELIJA/