
Sot është dita e fundit e karnavaleve në Shkodër. Një treditësh i mbushur me evente nga më të ndryshmet. Ndoshta e njëjta situatë me vitet e kaluara, me përjashtim të dekorimit të rrugëve të qytetit, në përmbushje të “Rrugët e Shkodrës n’ Karnaval”. Por këto karnavale, patën një jehonë përtej çdo pritshmërie të mundshme, madje edhe të vetë organizatorëve.
Jehona e këtij karnavali, tejkaloi jo vetëm kufijtë e Shkodrës e Shqipërisë, por u përhap në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Jo aq shumë për meritë të organizatorëve sa për meritë të atyre që shenjestruan që në shpalljen e datave të zhvillimit të karnavalit. Nëse do të ishim pjesë e organizatorëve, sot do të duhej një falenderim publik. Përveç eventit, i bënë promocionin më të mirë të mundsheëm edhe vetë Shkodrës!
Sidomos në rrjetet sociale, çdo publikim lidhur me karnavalet, komentohej, anatemohej e madje sulmohej në emër të “denigrimit” të eventit. U fillua me datat, të cilat u kontestuan për shkak të mungesës së përkimit me hapjen e periudhës së Kreshmeve të besimtarëve katolikë. Aty ishte impakti i parë i rëndësishëm. Madje, aq i madh sa edhe shumë besimtarë katolikë, mësuan se karnavalet sipas traditës katolike, duhej të mbylleshin të “martën e majme”.
Përdorimi i elementit fetar, ngjalli ndjeshmëri por jo për ti “bërë keq” organizatorëve dhe vetë eventit. Interesi për karnavalet, arriti në nivele shumë të larta. Mjafton të pyesni hotelet, restorantet, bar- et por edhe njësi tregtare të thjeshta. Për të zbehur jehonën, u përdorën gjithëfarë krahasimesh, aludimesh, madje edhe për “policin” në qendër të qytetit.
E konsideruan “denigrim” të figurës së policit, duke harruar se në karnavale, guximi arrin deri atje sa të krijohen figura fuqishme si presidenti i SHBA- së apo vetë Papa, madje edhe ky i fundit. Por tashmë ishte hequr dorë nga përdorimi i elementit fetar, për të kaluar tek ai politik. Ishte e vështirë të suportohej se karnavalet, pas 32 viteve, në Shkodër do ti organizonte jo e njëjta “dorë” por një tjetër, që qeveris bashkinë nga 19 qershori 2023.
Përtej të pozicionuarve dhe të politizuarve, shkodranët e kuptuan se ku “flinte lepuri”. Jo më kot shprehja “të jep ujë në bisht të lugës”, ka përdorim shekullon në Shkodër. Sikur secili nga banorët e Shkodrës të pyetej, do të kishin skenarë dhe programe të ndryshme për organizimin e eventit dhe eventeve të tjera. Është krejt normale, sepse po lulëzon epoka e “gjithologëve”. Edhe ky karnaval nuk ishte ideal, kishte probleme që jo të gjithë mund ti identifikojnë. Por asnjëherë nuk duhen lidhur as me fenë e aq më pak me politikën e ditës.
Nëse organizatorët kanë vepruar gabim, lini të thellohen në “gabimin” e tyre. Mos u përpiqni ti jepni “alternativa” përmirësimi që mund ti përdorin në vitet në vijim, duke ju marrë audiencën kundërshtuesve të mundshëm. Këto tre dekada, në Shkodër por edhe në Shqipëri, kanë treguar se nuk mund të arrihet askund duke përdorur ndjeshmëritë fetare dhe ato politike. Shkodrës dhe asnjë vendi tjetër, nuk i vjen dhe nuk mund ti vijë asnjë e keqe nga festat, pavarësisht kush i organizon. Lum kush e ka kuptuar! Asgjë nuk ka qenë perfekte në këtë vend para 19 qershorit dhe sigurisht, as pas kësaj date, asgjë nuk do të jetë perfekte! As karnavalet, as festat…por mirë që i kemi dhe duhet ti shtojmë duke i kërkuar!
Tregojnë se në një nga zonat e thella malore të Shkodrës, para shumë e shumë viteve, jetonte një person. Sapo zgjohej në mëngjes, pa dalë nga shtëpia, i thonte veshit të vet “ndjesh keq” (dëgjofsh keq). Ulej në një shkëmb të lartë në fshatin e tij dhe priste lajme. Kur dëgjonte lajme të këqija, gëzohej dhe festonte për fatkeqësitë e të tjerëve. Pas shumë e shumë ditëve, mbi shkëmb duke pritur “lajmet e këqija” të ditës për tu gëzuar, një bashkëfshatar i tij i thotë: Ktheu në shtëpi, sapo të vdiq djali i vetëm! Në kohët moderne, mbase mund të quhet Karma! /Shënim i ShkodraWeb/