Padyshim që sot është një ditë r rëndësishme. Nuk do ishte aspak çudi që në kalendar të shënohej edhe një tjetër datë e kuqe feste, 19 korrik i çdo viti siç kemi shtuar edhe shumë të tjera pas por edhe para 1990- ës. Hapja zyrtare e negociatave është hapi i fundit i një rrugëtimi të gjatë, i cili mbase do të kishte mbi një dekadë i përfunduar.
Në një vend ku klasa politike nuk mban përgjegjësi për asgjë, “më mirë vonë se kurrë” është ngushëllimi që gjejmë rrugës edhe këtë herë. Ka vend për krenari, më shumë nga klasa politike se shqiptarët që i votuan, i mbajtën mbi shpinën e tyre edhe kur nuk e meritonin për mëse 30 vite pandërprerë. Sepse këta jemi ne. Gëzohemi edhe kur nuk ka kuptim, të paktën për jetën e një apo dy brezave në këtë vend.
Sot mbase hodhëm hapin e parë drejt BE- së për nipat tanë. Realizëm më shumë se pesimizëm. Si gjithmonë, në trenin e fundit të Ballkanit, atëherë kur veç një shtet pak më shumë se 10 vjeçar si Kosova, është aty ku ishim ne në 2010- ën, liberalizimi i vizave. Kaq do të mjaftonte që çdokush nga ne, të kuptonte xhirot boshe të 30 viteve të fundit.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve, e atyre të thjeshtë, e kanë arritur Bashkimin Europian të tyre. Të paktën në konceptin e parë e më të thjeshtë për ta e të afërmit. Një komb emigrantësh si Shqipëria, pas një izolimi të thellë 45 vjeçar, ëndrrën më të madhe kishte lirinë. Të parën për të folur pa frikë e të dytën, për të lëvizuar edhe matanë klonit me tela me gjemba. E kjo liri, ka gati 12 vite që na ka ardhur.
Nga sot, do të na duhen edhe shumë vite për të hyrë në portën e madhe të BE- së. Pesimistët flasin për 20- 25 vite negociata, më optimistët për 7- 10 vite negociata. Gjithsesi, do të duhen mjaft dhe për ditët e një jete njerëzore, nuk janë aspak pak. Sidomos duke u nisur nga viti 1990. Megjithatë, mbizotërues duhet dhe është optimizmi.
Sepse nuk jemi mësuar asnjëherë të kërkojmë llogari, as edhe të ndëshkojmë edhe më shumë se me votën tonë, ata që na sorollatën këtej e andej vitit 1990, kapërcyell i ëndrrave të realizuara e të vazhdojnë të mbeten mirazhe. Edhe sot, nuk na mbetet asgjë tjetër veç gëzimit. Edhe pse shumë prej nesh thjesht i bashkohen turmës si në një dasëm ku të kanë ftuar rastësisht por sërish futesh në valle.
Asnjëherë më rëndë se sot nuk tingëllon shprehja “çdo popull meriton qeverinë që ka”. Sot po tregojmë se e kemi merituar plotësisht, të paktën nga 1912- a kur kemi nisur ekzistencën si shtet i pavarur. 110 vjetori i Pavarësisë është vetëm pak muaj larg. Mos harroni, do t’ua përmendin këtë ditë, 19 korrik 2022. Sepse do ti shtohet paradës së datave të tjera me të kuqe. Natyrisht edhe për propagandë, për të na treguar se e meritojnë votën tonë udhëheqësit e radhës…. /Nga Blerti DELIJA/