![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/01/patronazhist-2024-1024x537.jpg?x28643)
1. Mbrojtja, përkrahja dhe kujdesi për dikë nga një më i madh, më i fortë a më i aftë; përkujdesja që tregohet për përparimin e dikujt, për mbarëvajtjen e diçkaje etj.; kujdesi i drejtpërdrejtë a simbolik i një organi të lartë shtetëror ose i një personaliteti të lartë zyrtar për një veprimtari të caktuar; kujdestari. Sistemi i patronazhit. Zhvillohet (organizohet) nën patronazhin e… E ka nën patronazh. Marr nën patronazh.
2. Shërbim mjekësor i organizuar, që u bëhet në shtëpi të sëmurëve ose fëmijëve të vegjël nga një klinikë e caktuar a nga një punonjës i saj. Mjekja (infermierja) e patronazhit.
Ky është përcaktimi që Fjalori i Gjuhës Shqipe standarde (pas 1972), i jep fjalës patronazh. Fjala “patronazhist” në fjalorin me rreth 40 mijë terma, nuk ekziston. Të paktën në versionin online të fjalorit që mund ta aksesojë çdokush.
Siç është e kuptueshme, nga patronazh mund të shkosh në patronazhist për të nxjerrë kuptimin parësor të njërës prej fjalëve më të përdorura, më të artikuluara vitet e fundit. Në përcaktimet më sipër, patronazh e patronazhist, nuk ka konotacion negativ. Edhe pse sot, ti thuash dikujt patronazhist, është si ta shash nga nëna, familja, farefisi etj.
Patronazhizmi (neologjizëm kjo fjalë, nëse mund të shkruhet kështu), besoj se ka lulëzuar bashkë me ardhjen e njeriut në botë. Kështu besoj edhe në Shqipëri apo në vendin tonë që është njohur në periudha të ndryshme, me emra të ndryshëm. Në shkolla, para vitit 1990, një nxënës i mirë merrte në patronazh një pak më të mirë për ta bërë të përparuar në mësime. Organizata e Rinisë vendoste që një anëtar i saj, të merrte në patronazh një të ri me “shfaqje të huaja”, “borgjeze e revizioniste”, e ta kthente në rrugë të mbarë, duke e edukuar me “normat e moralit komunist” apo proletar.
Shumë ndërmarrje në qytete, merrnin në patronazh kooperativa apo ndërmarrje bujqësore (nuk janë e njëjta gjë). Klasa punëtore, “udhëheqëse e shoqërise komuniste”, ndihmonte “fshatarësinë kooperativiste” jo vetëm materialisht (mjete pune p.sh.) por edhe ideologjikisht të blhej më e denjë për sistemin komunist.
Përveç këtyre koncepteve, ka edhe të tjera sigurisht. Sot, është katërcipërisht ndryshe. Patronazhisti, për një pjesë jo të vogël të shoqërisë, është ndër figurat më të urryera. Pak a shumë me kalecin, sigurimsin, 700- lekshin e para 1990- ës. Ai përgjon jetët e shumë kujt, grumbullon të dhëna, jep opinione deri edhe për kë ka prirje të votojë dikush. Sigurisht, të di numrin e celulaarit, adresën e postës elektronike, adresën e shtëpisë, ku e pi kafen e mengjesit, cilat lokale preferon për dreka apo darka, njeh personat më të afërt me të cilët ndan më shumë kohë. Mbetet vetëm të të caktojë ditën se kur vdes…
Para 1990- ës, duhej aftësi dhe përkushtim nga sigurimsi apo kaleci për të kryer aktivitetet e mësipërme. Nuk kishte një database elektronike, si ajo që kanë sot patronazhistët tanë. Kjo database sot eksziton dhe janë jo të paktë ata që kanë akses të plotë tek ajo. Madje, edhe hakerat, sidomos ata iranianë.
Përveç të këqijave dhe veseve që kanë, patronazhistët sot i bashkon edhe një e përbashkët e madhe: Janë të majtë fillimisht, më pas socialistë e në fund, rilindas. Nga ata të 2013- ës, jo të famshmit. A mund të jetë kështu? Sigurisht që jo.
Duke nisur nga 1990- a, vazhdimisht, në të gjithë krahët e politikës, ka patur, ka dhe do të ketë partonazhistë. Ndryshimi i vetëm janë mjetet e punës: Dikur me laps e letër, më pas me makina shkrimi e tani, me kompjuter e laptop. Që në krye të herës, dy partitë e mëdha në vend, PD dhe PS, kanë patur patronazhist. Ishin njerëz që kujdeseshin të hulumtonin deri në përcaktim prirjen e një personi për të votuar, në cilin krah etj. Madje në jo pak raste, edhe për të qenë shoqërues deri në qendrën e votimit. Përgjithësisht, patronazhisti është njeri i besuar (jo shumë në fakt) i atij që i ka dhënë detyrën, është i punësuar apo pret të punësohet në shtet, ka probleme financiare- ekonomike (përgjithësisht), i veshur mirë apo keq (sipas orientimit). Ata që kanë ndjekur nga afër dhe rregullisht zgjedhjet këto 30 vjet në Shkodër, e dinë se për çfarë bëhet fjalë.
Deri në 2013- ën, sistemi (jo zyrtar) i patronazhistëve në PD, ka qenë më i konsoliduar, më efikas se i PS- së. Pas këtij viti, PS- ja i kushtoi vëmendje të veçantë dhe sot, mund të thuhet se e ka kthyer në sistem, për të cilin është publikisht krenar edhe kryeministri i vendit. Edhe PD- ja vazhdon ta ketë, pavarësisht se në version Word dhe jo Exel, disi më i sofistikuar. Këto lista me të dhëna, janë “krehur” e “ri- krehur” disa herë vitet e fundit. Qoftë nga PD- ja zyrtare, qoftë nha Rithemelimi. Janë hequr e shtuar përkrahës të palëve dhe listat sot janë mishmash. Veç nëse bashkimi i Berishës me Bardhin deri në prill, ndodh realisht dhe sinqerisht. Sepse Berisha ka listat historike të 1990- ës deri në 2013, ndërsa nga ky vit, i ka Bardhi, prej të cilave përfiton edhe Basha sot.
A ka njeri që nuk është patronazhist? Vështirë të gjendet një i tillë. Duke nisur nga familja e vogël, e madhe, farefisi, blloku, lagjja, qyteti e më gjërë, në një mënyrë apo tjetër, të gjithë janë patronazhist në mënyrën e tyre. Dikush për bindje, dikush për ideologji, dikush për “piacere”, dikush për premtim shpërblimi monetar apo vende pune, dikush e ka genetike nga para 1990- ës, dikush për ti bërë dëm komshiut apo edhe vëllait e kështu krijohet një rreth vicioz. Kjo, deri sa “njeriu i ri, vepra më e ndritur e partisë”, të shkatërrohet. Ajo që është bërë, për tu zhbërë, kërkon pak a shumë të njëjtën kohë. 33 vite ikën. Durim, nuk kanë mbetur edhe shumë, 12 vjet pak a shumë! Këtu nuk po flasim për patronazhistët brenda institucioneve apo ndërmarrjeve, që nuk kanë shumo “objektiva” politike. As për “bilbilfryrësit”! /Nga Blerti DELIJA/