OPINION – Demokracia buron nga përfaqësimi dhe integriteti i të drejtës për t’u shprehur e votuar…

Formimi dhe pikëpamjet janë ato që ndajnë dhe bashkojnë njerëzit. Dëshira që idetë e gjithësecilit të prekin realizimin çon përpara garimin. Në Shqipërinë e demokratizuar tani 30 vite më parë ka një abstragizëm të madh përsa i përket numrit të partive politike.

Organizata krahinore nën logo partish që qëndrojnë në vagonët e partive të mëdha për të zhvatur e kapur haraçin e premtuar janë ato që kanë shkatërruar demokracinë shqiptare duke na ofruar sot jo alternativën politike, por pazarin e radhës.


Që nga vitet ’90 e deri më sot është e qartë një rënie e demokratizimit dhe duke shfaqur kështu nga liderët post- komunistë tipare autoritare qeverisëse. Kjo rrjedh si pasojë e një shteti ku nuk funksionojnë institucionet dhe pavarësia vendimmarrëse e kolonave të pavarura drejtuese të vendit.

Diskutimet që zënë vend janë kaq principale dhe qëndrojnë në kontekste boshe duke mos u marrë në asnjë moment me thelbin. Sot shteti shqiptar ka nevojë për të demokratizuar institucionet. Shpesh dëgjojmë fjalën reformë, por e parë në kontekstin shqiptar nuk luan të njëjtin rol. Ajo është thjesht një meremetim i sistemit.

Problemi në Shqipëri qëndron në thelbin e ngritjes dhe funksionimit të shtetit. Ka një sërë faktorësh që ndikojnë, por më kryesori është korrupsioni. Qeverisja dhe politika sot konceptohet pazar tavolinash të mbyllura mes një grushti njerëzish që kanë ndikim në vend.

Sistemi politik është thelbi i keqfunksionimit të shtetit. Reformimi i partive politike dhe i rregullave të garës është tashmë një nevojë imediate. Në kontekstin politik kjo nuk duhet pritur nga partitë e mëdha të cilat në idealizmin e tyre e duan status quon. Ky ndyshim duhet vijë organikisht si një dëshirë dhe imponim popullor.

Pikërisht ky duhet të jetë roli i këtyre organizatave që iluminojnë me faktin që punojnë për një Shqipëri demokratike. Sistemi mbi të cilin ngrihet politika shqiptare duhet të ndryshojë duke gjetur një format që i jep peshë deputetit në përfaqësim e rrjedhimisht peshë votës në vendimmarrje. Po ashtu një parlamentarizëm më efektiv dhe një pushtet më pak arrogant do të ishte me një parlament me dy dhoma.

Skeptikët që nuk e shohin të nevojshëm këtë duhet të kuptojnë që me kompetencat e rolit të presidentit, që ka sot, nuk ka një mundësi balancimi pushtetesh duke i dhënë kështu edhe një shkallë tjetër filtrimi miratimit të ligjeve. Ndërsa nga ana tjetër forcimi i pozitave të deputetëve është një faktor që do të sillte një tjetër sjellje politike, duke i larguar kështu nga manovrat diktuese të kryetarëve të partive. Formulat janë të shumta, por thelbi duhet të jetë i tillë.

Në parlamentin shqiptar sot shohim se kemi individë me rekorde kriminale, individë me analfabetizëm funksional, me analfabetizëm politik. Të bërit politikë nuk është një rol që mund ta kryejë çdo kush. Politika kërkon grintë, përgatitje dhe dëshirë, prandaj është e rëndësishme që për t’i dhënë frymë demokracisë të shkojmë drejt një ndyshimi thelbësor në funksionalitetin e shtetit. Përgatitja intelektuale dhe përfaqësimi dinjitoz i krahinave të Shqipërisë duhet të jenë kushte për një parlamentarizëm produktiv.

Sot parlamenti ofron shfaqje kriminale injoranteske që shkojnë në kufinjtë e një sarkazme dëshpëruese, kur vetëm kthen kokën në rrjedhën e historisë dhe kupton se kush sot përfaqëson vendin. Me këtë lloj përfaqësimi roli i deputetit është bërë fyes, gjë që largon intelektualët e vërtetë dhe i frikëson ata nga marrja me këtë lloj politike që ul integritetin e tyre. Ka një konfuzion të madh rolesh në shoqëri dhe kjo ka vrarë karrierizmin dhe meritokracinë. Krimineli e ka vendin në burg e i korruptuari e ka vendin në burg po ashtu. Sot e kemi kthyer parlamentin në një cirk, ku të gjithë këto përformojnë së bashku. Këtij lloj përfaqësimi që vret përfaqësimin i duhet dhënë fund njëherë e mirë.

Dëshira për ndryshim teknikalitetesh të sistemit sipas oreksit politik të ditës nuk janë zgjidhje për një shtetformim afatgjatë. Ky vendim i takon popullit e aq më pak këtyre përfaqësuesve me nivelin e lartpërmendur që nuk kanë integritetin e duhur për të folur e jo më për të vendosur të ardhmen e vendit. Demokracia buron nga përfaqësimi dhe integriteti i të drejtës për t’u shprehur e votuar. Kjo nuk mund të bëhet me pazare tavolinash e as diskutime të mbyllura, por me verdikte që burojnë drejtpërdrejt nga sovrani. /Nga Kolindo VJERDHA/

 ABCOM ║ VODAFONE