E kam dëgjuar shpesh herë këtë shprehje, para e pas 1990-ës. Madje që në moshë ë vogël por kuptimin ia mësova me kalimin e viteve. “I fortë” ka kuptimin e parë atë fizik. Në fakt, tek kjo shpehje ka kuptimin “i pushtetshëm”. “I lig”, nuk ka kuptimin e parë të fjalës tek kjo shprehje. Pra, jo me shpirtin. I lig, i keq etj. Ka kuptimin e një njeriu të pafuqishëm, të sëmurë, pa mbështetje. E kështu, shprehja e mësipërme merr kuptimin të cilin sot e shpreh më shumë se kurrë, në atë që po konsumohet në Shqipëri e sidomos në Shkodër.
Edi Rama është “i fortë”. Ka në dorë parlamentin, organin suprem nga burojnë të gjitha pushtetet apo institucionet e tjera. Ai zotëron plotësisht Policinë e Shtetit. Madje, një trupë civile që prej muajsh përdor metoda ushtarake, që nga ardhja në krye e ish- gjeneralit. Me një “të gërsitur të gishtit”, vë në rresht të gati të gjithë sistemin e drejtësisë. Atë që ka mbetur nga ai. Sepse Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë akoma “për rahmet”. “Ramaforma”, siç e ka pagëzuar Presidenti i këtij vendi, është më e rrezikshme se “shpata e Demokleut” për “kokat” e gjyqtarëve e prokurorëve. E për ta mbyllur ashtu siç duhet, Prokuroria prej dy vitesh, nuk është asgjë më shumë se një zgjatim i pushtetit ekzekutiv, edhe ky “institucion i pavarur”, nën hyqmin e padiskutueshëm të Edi Ramës.
Ka mbetur deri diku “në këmbë” Institucioni i Presidentit dhe Bashkia e Shkodrës…
Presidenti i Republikës po flet shumë, madje më shumë nga sa duhet në disa raste. Por vetëm kaq! Dekretet e tij janë kthyer me kohë në “letra bakalli” edhe nga një organ administrativ siç është KQZ-ja. E çfarë mund të bëjë më shumë Presidenti? Asgjë! Vetëm të flasë, duke u pozicionuar tashmë si oponencë e mazhorancës Rama.
Të gjitha bashkitë në këtë vend, ranë në “këmbët” e Edi Ramës. Ndoshta për faj të opozitës që nuk u bë pjesë e 30 qershorit, por sot mund të diskutojmë vetëm mbi “faktin e kryer”. Për faj të Edi Ramës, Shkodra nuk ra. Të paktën deri ditën e hënë paradite, nuk do të bjerë. Çfarë ndodh më pas, e di vetëm Edi Rama. Sepse ai ka bërë skemat, sepse ka në dorë gjithçka në këtë vend. Fatet e Shkodrës si kurrë më parë pas 1990- ës, janë në dorën e vetëm një individi, “të fortit” Edi Rama.
“I ligu” në këtë rast, në respekt të gjuhës shqipe, i bie të jetë e gjinisë femërore. Është Shkodra, Bashkia e saj dhe nëse doni, edhe komuniteti i shkodranëve që jetojnë akoma në këtë territor. Nëse doni, mund të heqim atë 6% apo 9% që mund të jenë dakort me “të fortin”. Pjesës tjetër që ngelet nga 6% apo 9%, i mbetet vetëm të shohë dhe të pajtohet me atë që ka vendosur në kokën e tij “i forti”. Sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër, Sepse, sidomos nga 25 qershori i 2017-ës, nuk ka patur asnjë alternativë tjetër. E vetmja shpresë është që “timonieri” të mos ketë vendosur të përplasë “autobusin” me emrin Shkodër. Të tjerat, mbase rregullohet. Sepse “sa është fryma, është uzdaja”.
Të jeni të sigurtë (dhe këto dy vite më japin të drejtë!), askush nuk mund ta ndalë Ramën nëse ka një synim në kokë. Këtë herë, synimi është të marrë Bashkinë e Shkodrës. Pasi dështoi ta marrë me “zgjedhjet” e 30 qershorit (për fajin e tij sigurisht!), ashtu siç mori të gjitha bashkitë në vend, ka synim ta marrë “në tavolinë” me ndonjë mekanizëm që juristët e tij mund t’ia kenë sugjeruar. Kjo, përsa kohë që sistemi i drejtësisë në këtë vend është ose i vdekur, ose i kapur, ose i trëmbur nga “Ramaforma”, siç e quan Presidenti i vendit. Nëse protesta do ta pengojë konstituimin e Këshillit Bashkiak të dalë nga 30 qershori tek Rektorati i Universitetit të Shkodrës, të jeni të sigurtë se do ta organizojë diku tjetër. Ndoshta edhe në Lezhë, M.Madhe apo Pukë ku mbase ndjehet më pak “i kërcënuar”. Mund të përdorë edhe ndonjë avion të “Air Albania” për ti dërguar 51 këshilltarët në një vend të qetë konstituimi. Nuk është çudi të vijë edhe vetë, për të treguar si në Tiranë, se është ai kryebashkiaku i vertetë i çdo bashkie në këtë vend.
Të jeni të sigurtë se mund të zhvendosë rreth 13 mijë policë nga e gjithë Shqipëria për t’i sjellë në Shkodër për të garantuar realizimin e synimit. Të jeni të bindur se do të tubojë në Shkodër edhe të gjitha trupat e FNSH-së, RENEA-s e të tjera që nuk ua mbaj mend emrat. Madje, është i gatshëm të fusë në veprim edhe ushtrinë, pavarësisht se ministrja e Mbrojtjes është në ditët e fundit të “pritjes së ëmbël”. Dhe vetëm për një arsye të vetme, sepse Edi Rama është “i fortë”.
Por në çdo histori, ka gjithmonë një mundësi, një shpresë, një “dritë në fund të tunelit”. Por ajo vlen për ata që besojnë tek rrëfenjat e shenjta. Frymëzohuni me Davidin dhe Golian. Një rrugë e dy punë, afroheni më shumë edhe me Krijuesin në këto ditë jo fort të lehta për “të ligun”! /Nga Blerti DELIJA/