OPINION – Askush nuk mund të shfaqet “më katolik se Papa”, as në politkë dhe as në administrim…

Ka disa orë që në rrjete sociale më shumë por edhe në media, po shkruhet e komentohet shumë shkarkimi nga detyra i dy administratorëve në Bashkinë e Shkodrës. Largimi nga puna i çdokujt, nuk është lajm i mirëpritur. Por në aspektin e administrimit publik, të një posti apo pozicioni, nuk mund të mos shkruhen dy rreshta.

Shqipëria e këtyre 32 viteve ka sjellë prova të shumta se administrimi publik lë shumë për të dëshiruar. Nëse në rastin e deputetit, kryeministrit, kryetarit të bashkisë “e mbyll gojën” e çdokujt vota e qytetarëve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për emërimet.


Ligji është mëse i qartë, në emërimin dhe lirimin nga detyra të administratorëve të një bashkia. Është kompetencë ekskluzive e kryetarëve të bashkive përkatëse, të cilët sipas ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, e ushtrojnë pa dhënë një motivacion në të dyja rastet.

Sigurisht, gëzohemi shumë kur marrim një emërim, sepse jemi përzgjedhë, në rastin e Shkodrës të paktën, në mes të rreth 200 mijë qytetarëve. Natyrisht, edhe mërzitemi kur shkarkohemi nga detyra, duke harruar disi nisjen e rrugëtimit, emërimin. Në të dy rastet, është mbizotërues vullneti i titullarit që ligji i jep të drejtën e emërimit dhe lirimit nga detyra.

Në aspektin politik, i cili është shumë i rëndësishëm edhe në administrimin e qeverisjes vendore, këtë herë situata ishte pak më ndryshe. Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, ku u votua edhe në Shkodër, PD- ja u paraqit e përçarë. Pjesa e konsideruar zyrtare, kërkoi votat për një kandidat ndërsa pjesa tjetër, përmes një koalicioni teknik me një subjekt politik.

Të dy palët synimin kryesor publik kishin të mundnin kundërshtarin kryesor PS- në, ndërsa realisht dy pjesët e PD- së kërkonin fitoren për vete. Kjo solli edhe pozicionimin e antarëve e mbështetësve të PD- së në Shkodër. U krijua një klimë mjaft e ftohtë, edhe publike, duke vertetuar se “lufta brenda llojit rrezikon zhdukjen e species”.

6 marsi 2022 është shumë afër dhe gjërat dihet si shkuan. Natyrisht, do të fitonte vetëm një kandidat. Fituesi nuk gjykohet, as i vendosen kushte dhe as i imponohet vullneti. Kjo është aksiomë qindra vjeçare, e përbotshme dhe pranohet pa nevojë vertetimi. Sigurisht, fituesi, për aq hapësirë që i jep ligji, ka të drejtë të zgjedhë bashkëpunëtorët.

E kështu, kthehemi tek emërim- lirimet nga detyra, të cilat kanë nisur në Bashkinë e Shkodrës ku ka ndryshuar titullari, me gjasë edhe në 5 bashkitë e tjera ku u votua me 6 mars. Nëse dikush nga të shkarkuarit, mund të ketë rezerva, ka të gjithë hapësirën, të paktën teorike, të ndjekë rrugët ligjore. Nëse gjykon se i është bërë e padrejtë.

Administratorët janë nivel politik i qeverisjes vendore. Të ishte ndryshe, do të ishin në zotërim të statusit të nëpunësit civil. Për ta thjeshtuar, me ndryshimin e titullarit, mbetet në vullnetin e tij të shkarkojë zëvendëskryetarët, administratorët, kabinetin e tij e kështu me radhë, çfarë ligjvënësi i ka lënë në diskrecion. Mund të zgjedhë të mbajë disa apo të gjithë, soç edhe mund ti shkarkojë disa apo të gjithë. Kjo, përsa kohë nuk funksionon institucioni i paraqitjes së dorëheqjes të paktën moralisht, aq më tepër kur ke punuar publikisht kundër atij që sot është titullari yt dhe nuk ke gjetur guximin ta urosh publikisht në rrjete sociale për fitoren, qoftë edhe duke të mundur ty dhe kandidatin tënd.

Nuk është hera e parë dhe as e fundit që janë larguar e do të largohen administratorë apo zyrtarë të të gjitha niveleve. Është dialektika e administrimit të pushtetit por edhe e vetë jetës që është stafetë. E rëndësishme është të bëhet dallimi në mes individëve dhe institucioneve. Kryetari i bashkisë është institucion, ashtu siç edhe administratori. Përtej kësaj marrëdhënie, rregulluar me ligj, është edhe pjesa njerëzore, shumë e rëndësishme të mbetet e pacënuar. Qoftë edhe mes individëve me bindje diametralisht të kundërta.

Askush nuk mund të shfaqet “më katolik se Papa”, as në politkë dhe as në administrim. Çdokush kërkon të punojë me persona tek të cilët mund të mbështetet jo vetëm nga ana aftësive por edhe politike. Sepse këtë realitet kemi ndërtuar për 32 vite, madje duke e plazmuar edhe me ligje. Raporti i parë që duhet krijuar në mes një titullari dhe varësi është besimi. Kur ai nuk ekziston, të gjitha të tjerat, shumëzohen me zero. Sepse pas një viti apo 5 viteve nga sot, për veprime e mos veprime, për emërime e largime, llogari para qytetarëve apo edhe subjektit politik që e propozon, jep kryetari dhe jo të emëruarit e tij. /Nga Sokol N. SOKOLI/