Enkelejd Alibeaj vazhdon të mbajë mes shumë posteve e emërimeve të tjera, edhe atë të kryetarit të komanduar dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PD- së. Pas njohjes së Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetor 2021 dhe regjistrimit të tij në Gjykatën e Tiranës, ai i ka humbur të dy këto poste juridikisht. Si jurist, sigurisht që Alibeaj e di por i intereson ta mbejë veten “në lojë”, përmes ankimimit në Gjykatën e Apelit, me justifikimin se “vendimi nuk ka marrë formën e prerë”.
Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit 2021, shkriu të gjitha organet drejtuese të PD- së, duke i dhënë kompetenca vetëm vetes dhe Komisionit të Rithemelimit. Kështu, Alibeaj nuk mund të jetë kryetar i komanduar i PD- së sepse fillimisht, nuk është kryetar. Pa llogaritur edhe emërimin nga Gazment Bardhi, duke anashkaluar Këshillin Kombëtar të paktën formalisht. Njëkohësisht si Alibeaj, në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, edhe Bardhi u shkarkua duke mos qenë sekretar i përgjithshëm.
Në këtë frymë, bazuar edhe në Statutin e PD- së e rregulloret, Alibeaj nuk mund të jetë as kryetar i Grupit Parlamentar të PD- së sepse nuk është nënkryetar pas Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Për të ruajtur luajalitetin, Berisha e njohur Alibeajn si kryetar të GP të PD- së. Kjo me dashamirësinë, që pas vendimit të Gjykatës të Tiranës për 11 dhjetorin 2021, të mos krijohej ideja e revanshit nga Komisioni i Rithemelimit në PD.
Në fakt, siç po rezulton, ky është gabim jo i vogël i Berishës. Nëse Gjykata e Tiranës regjistroi Kuvendin e 11 dhjetor 2021, të gjitha vendimet e tij janë të vlfeshme dhe në ato kushte, nuk kishte as kryetar Grupi Parlamentar të PD- së legjitim. Komisioni i Rithemelimit, do të duhej të organizonte menjëherë mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD- së dhe të zgjidhte një kryetar legjitim bazuar në vullnetin e shprehur me votë të deputetëve. Aty, edhe vetë Alibeaj mund të rikandidonte, nëse merrte votat, të rikonfirmohej.
Me tagrin e kryetarit të Grupit Parlamentar që juridikisht nuk e ka, Alibeaj po vazhdon të krijojë shpërqendrim dhe amulli në grupin e deputetëve. Publikon platforma, përmend emra deputetësh mbështetës, të cilët e përgenjeshtrojnë publikisht. Që në krye të herës kemi paralajmëruar se Alibeaj dhe Bardhi, me largimin “de jure” të Bashës si kryetar të PD- së, do të vazhdonin lojën e tij, duke vënë nën shenjestër Berishën. Qëllimi është i qartë, të detyrojnë ish- kryeministrin të mos rikandidojë, duke i vënë përballë Lulzim Bashën me dorëheqjen e tij si shembull.
Pavarësisht deklamimeme për bashkim, Alibeaj i ndihmuar nga Bardhi, po bëjnë të kundërtën, ndërsa shefi i tyre Lulzim Basha vazhdon takimet jashtë vemendjes së mediave me antarësisë, ata që mund të mbledhë. Nuk është e vështirë të kuptohet se ka dy plane në linjën e tyre të veprimit. Plani “A” është përpjekja me të gjitha mjetet për të mbajtur nën kontroll PD- në me mekanizma të ndryshëm të tipit “deus ex machina” sa më shumë të munden. Plani “B” është shtrytëzimi i kësaj skeme për ti dhënë jetë një partie tjetër politike, me mbështetës në bazë por edhe me deputetë, me synimin minimal për të krijuar grup parlamentar me 7 deputetë.
Ndërsa Komisioni i Rithemelimit po vazhdon me zgjedhjet në bazë, duhet të ndalet, të gjejë kohë dhe të zgjedhë, aty ku mundet, edhe në strukturat qendrore politike, siç është Grupi Parlamentar. Statuti i PD- së e përcakton qartë në nenin 48 të tij se “Grupi Parlamentar i PDSH-së:
përfaqëson në Parlament PDSH-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH-së”. Pra, ky organ nuk mund të jetë me pavarësi të plotë ndaj Kuvendit Kombëtar dhe Komisionit të Rithemelimit.
Urgjentisht duhet mbledhje e Grupit Parlamentar, të zgjidhen drejtuesit legjitimë të tij sipas përcaktimeve staturore e rregulloreve e më pas, mund të vijojnë diskutimet për situatën në PD. Përndryshe, situata në PD, edhe për shkak të mosfunksionimit legjitim të Grupit Parlamentar, nuk do të shkojë drejt shërimit por përkeqësimit. Sepse njëri nga grupimet padyshim që ka “agjendë tjetër” nga ajo që proklamon nga mëngjesi në darkë. Komisioni i Rithemelimit, qoftë edhe me mosverpimet e tij, nuk duhet të bëhet palë. “Më mirë djepi bosh se djalli brenda tij”, meqë jemi në periudhë Pashësh. /Nga Blerti DELIJA/