Mbledhja e sekretarit të përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, me strukturat e PS Shkodër mbrëmjen e kaluar u shoqërua me debate
Në fokus të këtyre debateve me Gjiknurit dhe sekretarin organizativ të PS Blendi Klosi kanë qenë punësimet, emërimi i drejtorëve, përgatitja për zgjedhjeve vendore të 2023-shit.
Për këtë, sekretari i PS, Gjiknuri foli sot në studion e Top News në emisionin Zona Zero, duke sqaruar se nuk ishte aspak si spekuluan mediat por një debat i brendshëm brenda një partie demokratike.
“Nuk merrem me spekulimet që bëhen nëpër media, sigurisht që debate ka brenda partisë, se është parti demokratike, dhe gjithmonë kemi pasur rezultatin më të mirë. Se si shkojnë rekordet elektorale shihet tek organizatat. Tek organizatat kolektive vullnetare ka gjithmonë diskutime për tu përmirësuar.
Vendosja e një kryetari të ri në qarqe është nevoja për të qarkulluar lidership në nivel lokal, sepse i jep PS rifreskim dhe të bëjë më mirë në vijim.
Mandati i tretë ka dhe konsumin e saj, duket sikur mandati i tretë mund të sjellë një konsum të mëtejshëm dhe mund të mos realizojë premtimet, por prandaj duhet që strukturat e PS të punojnë sa më shumë, të merremi me çdo shqetësim që krijohet gjatë rrugës dhe të mos presim gongun e fushatës” tha Gjiknuri.