“Nuk është e lehtë të ndahesh nga një parti”, Presidenti Meta paralajmëron moskthimin në LSI: Nuk keni parë gjë akoma…

Intervistë e Presidentit Meta dhënë për emisionin “Ora e Betit” në “RTV ORA”

Pyetje: Duke pasur parasysh që LSI. është partia që ju krijuat, e mbajtët gjallë.


Presidenti Meta:  Jam krenar që kam krijuar LSI-në, por nuk keni parë gjë akoma. Tani është çështje e tyre.

Pyetje: Megjithatë dua t’i referohem një deklarate të Kryeministrit Edi Rama, që e quajti si projekt të përbashkët me Lulzim Bashën për ta çuar për skrap LSI.-në. Është një deklaratë e muajit shkurt të vitit 2021, ja ka arritur Edi Rama?

Presidenti Meta: Do të ishte një mrekulli nëse ja kanë arritur.

Pyetje: Çfarë do të thotë nuk keni parë gjë akoma? Mos do të thotë që pas përfundimit të mandatit tuaj si President, do t’i riktheheni LSI-së

Presidenti Meta: Thashë që jam krenar për atë që kam bërë, që nuk është e lehtë, të ndahesh nga një parti, siç isha unë në Partinë Socialiste, që isha në pozitat më të larta, natyrisht të fituara me shumë punë, me shumë përpjekje.

Edhe në një situatë shumë të polarizuar, ku duket sikur ndonjëherë ka një armiqësi kaq të madhe midis këtyre dy forcave politike, por ndonjëherë ka dhe një miqësi të jashtëzakonshme kundër çdo force tjetër.

Sepse ka një dëshirë për të mbajtur këtë lloj situate, ku LSI. doli si forcë edhe e qendrës së majtë, por edhe si forcë më racionale.

Kur LSI e humbi këtë pozicion, me lënien e mandateve sepse ajo la fushën e saj kryesore, kjo është e vërteta, që ishin në Parlament, që ishin Institucionet.

La dhe misionin e saj kryesor që ishte një garanci për integrimin evropian dhe shumë deputetë e deputete me shumë kontribute dhe me shumë vlera dolën.

Sepse pastaj kur ti kalon gjoja në manifestime, këta të gjithë dalin atje, jo në bulevard, po pastaj shkojnë edhe nëpër rrugica, sepse i vetmi bulevard i sigurt në politikë është Parlamenti dhe Institucionet.

Kush del pastaj andej, nuk di ku përfundon. Unë për këtë gjë, kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe e vetmja keqardhje kjo është, se duhet të kisha marrë të gjithë deputetët, për shkak të atij raporti shoqëror, miqësor që unë kam pasur me ta.

Pyetje: A mendoni se ka qenë një marrëdhënie e sinqertë ajo midis PD dhe LSI, deri para zgjedhjeve, faktit që deklaratave që ka bërë tani zoti Bardhi, se i ofruam 15 deputetë, fakti që nuk hymë në lista të përbashkëta. Kush e dëmtoi LSI-në?

Presidenti Meta: Unë nuk jam këtu për të dhënë llogari në emër të LSI.-së. Unë jam President i Republikës, jap llogari për mbrojtjen e Kushtetutës në çdo sekondë, në çdo moment.

Të vini tani të më zgjoni në orën 2 të natës, ju jap përgjigje, mbaj përgjegjësi vetë, nuk ja vë fajin as Sekretares së Përgjithshme, as këshilltarit, këtë detyrë kam unë.

Ata t’i zgjidhin  vetë këto çështje, sa të  sinqerta i kanë, sa nuk i kanë, nuk është ky problemi im. E rëndësishme është për mua, që ndryshimi që unë mendoja dhe që isha i përkushtuar, që vendi kishte aq nevojë ulëritëse nuk ndodhi.

Po si do qoftë është diçka më ndryshe se Parlamenti që ishte në dy vitet e fundit. Dhe shpresoj që opozita t’i qëndrojë përgjegjësive të saj dhe t’i ushtrojë ato.

Të kthehet në misionin e saj për ta kontrolluar qeverinë dhe jo për të qenë e kontrolluar prej saj. Kjo është një sfidë që atyre ju takon ta zgjidhin vetë.

Sepse Shqipëria ka pasur një super mazhorancë në 2 vjet, 122 deputetë, kush është produkti?

Shqipëria ka nevojë për një opozitë që kontrollon, një opozitë parimore, një opozitë me integritet, për një opozitë që ka koherencë në qëndrimet e saj.

Pyetje: Në datën 24 Korrik, përfundon mandati i Presidentit Ilir Meta, çfarë do të bëjë zoti Meta pas 24 Korrikut, do t’i kthehet sërish partisë së tij, në krye të LSI.-së?

Presidenti Meta: Unë di që i përkas përjetësisht popullit të 2 Marsit. Kjo histori ka përfunduar, do të jem në shërbim të mbrojtjes së Kushtetutës, të interesit publik e sidomos të sovranitetit të qytetarëve dhe interesit kombëtar.

Do të flas me popullin e 2 Marsit dhe do të bëj më të mirën që atë do të më sugjerojnë. Për arsye se unë kam shumë detyrime ndaj popullit të 2 Marsit, pasi ishte një popull që i ’u përgjigj thirrjes sime në momentin më kritik të vendit.

Sepse mendo sikur që atëherë të kishte ndodhur pushtimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të kishte fare zgjedhje në 25 Prill.

Pyetje: Ky shërbim ndaj popullit të 2 Marsit, nënkupton dhe një aleancë me zotin Berisha, pavarësisht asaj që ndodh në Partinë Demokratike, nëse fiton Basha, apo Berisha?

Presidenti Meta: Më futët në parashikime dhe paragjykime, mbi ngjarje që nuk më takojnë mua. Doni që unë të shprehem për kandidatët?

Duhet ta dini që ka gati një vit që nuk jam takuar me zotin Berisha dhe do të përpiqen të shmang çdo takim të paktën edhe disa javë.

Pastaj shpresoj të takohem edhe me të edhe me zotin Basha, me çdo zotëri tjetër. Nuk i paragjykoj, ato janë punë që i vendosin demokratët.

Por mendoj se të gjithë duhet të sillen me shumë përgjegjësi në raport me Partinë Demokratike, me misionin e saj opozitar.

Dhe duhet t’i japim fund situatës ku askush nuk mban përgjegjësi. Po sikur përgjegjësia gjithmonë të transmetohet te dikush tjetër?

Unë në raportin tim, kam qenë i hapur me të dy, për të njëjtat çështje, të njëjtat qëndrime, nuk kam asnjë kompleks.

Këshilla që i kam dhënë gjithmonë zotit Basha ka qenë, ta respektojë gjithmonë zotin Berisha, por të vendosi vetë edhe kur zoti Berisha, ai mendon që mund ta ketë gabim.

Por asnjëherë të mos bjerë viktimë e diversioneve për të injoruar kontributet e tij, apo vlerat e tij, sepse në fund të fundit dihen këto vlera.

Por nuk hyj në këtë raport.