
Deputeti i Shkodrës ka festuar ditëlindjen. Sigurisht ka marrë shumë urime nga familjarë, miq, të afërm, të njohur, kolegë e bashkëpunëtorë. Ndoshta urimi më i veçantë, edhe publik, është ai i bashkëshortes Fitore Beci, e cila duke e shoqëruar me disa foto, e ka shpërndarë atë në rrjetet sociale:
“Kam thuajse 40 vjet që shkruaj një urim ditëlindjeje për TY çdo 25 janar. Të kam treguar sa të dua e sa të vlerësoj, sa mirënjohëse jam për vitet e kaluara me TY; të kam shkruar poezi e bërë vizatime; të kam falënderuar për zemërgjerësinë tënde të pakufishme e dashurinë e kujdesin pa limit ndaj meje e fëmijëve tanë, me dy apo katër këmbë. Nuk di a ka mbetur diçka pa thënë… Dhe kur mendoj gjithë ato vite përpara …
Nuk merakosem ku do t’i gjej fjalët se ato më dalin gjithmonë nga shpirti, aty ku rrënjët e dashurisë për ty janë bërë kaçurrel e kam ngecur përgjithmonë. Nganjëherë mendoj se të dua më shumë se veten, jo në sensin e marrëzisë, po në sensin e alarmit kronik inkoshient që ti të jesh mirë, të të mos mungojë asgjë e të mos kesh asnjë shqetësim. Edhe pse me raste pyes veten nëse jam investuar më shumë se duhet apo jam bërë pishman që kam humbur disi veten në këtë rrugëtim jete me ty, them se do të bëja të njëjtën gjë po të përsëritej se s’di dhe s’dua të kem një jetë pa TY.
Të dua! Nuk e di ku mbaron ti e ku filloj unë. Gëzuar zemër! U bëfsh 100 Benet Beci!”, shkruan Fitore Beci, bashkëshortja e deputetit të Shkodrës.
Kush është Benet Beci
Ka lindur në Tiranë, më 25 janar 1965. Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, master në Administrim Biznesi me temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal.
Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu ka një përvojë të gjerë edhe në menaxhim financiar në
institucione të Financimit Rural.
Detyra më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar. Ai e ka mbajtur këtë post që prej vitit 2005 deri më 2019. Ai ka mbajtur edhe detyrën e Administartorit në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.
Aktualisht, nga 25 prill 2021 Beci është deputet i Qarkut Shkodër dhe kandidat potencial për bashkinë e Shkodrës me 14 maj 2023.
Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publiko-private dhe inovacionet në qeverisje.