NGA ZIJA VUKAJ – Era qytet…

Qyteti është si njeriu. Ka nevojë të ushqehet, të respektohet, të vishet, por edhe të parfumoset. Çdo krahasim çalon, por pjesa më e çalë e krahasimit këtu duket parfumosja. Të parfumoset qyteti!

Ngjan surreale, një mision i pamundur, një pretendim i tepërt. E kush do ta kryejë një punë të tillë? Sa gjigante duhet të jetë ajo dorë! Sa gjigant duhet të jetë apo të ketë qenë individi që e ka realizuar këtë mrekulli, magjinë e aromës së luleve të blirit, që ne e ndjejmë pa kuptuar këto ditë të bukura maji.


Jo vetëm pa kuptuar, por edhe pa e menduar këtë bekim dhe pa na shkuar mendja të shprehim as mirënjohjen më të vogël ndaj atij biri të çmuar të Shkodrës, që quhej Mark Kakarriqi (1884-1942), një aristokrat me klas shumë të lartë, reshper i përmendur dhe koleksionist arti, kryetar bashkie rreth 90 vjet më parë, por mbi të gjitha një patriot i madh.

Ky individ idealist solli asokohe nga Austria këto pemë të fisme dekorative që e bëjnë vendin t’i vijë era qytet. Sa e vështirë qenka që ta bësh një vend t’i vijë era qytet.

E pra, një bir i shkëlqyer i këtij qyteti, qysh para një shekulli la gjurmën e vet mbi portretin e bukur të Shkodrës, u fali brezave këtë dhuratë që t’u ëmbëlsojë ditët e pranverës me aromën e këndshme të këtij parfumi magjik, që zgjon tek njerëzit që nuk janë të privuar nga shqisa e nuhatjes, energji pozitive, jehona përfytyrimesh transhendente dhe atmosfera optimiste e ëndërrimtare, pa e kuptuar burimin e gjendjeve psikologjike.

Dritë la pas vetes ky burrë i rrallë e dritë i bëftë shpirti gjithmonë! /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/