Këtu e 25 vjet ma parë, ime shoqe, unë e dy djemtë tonë, njeni 20 vjeç e tjetri 16- të, u nisem për kurbet! Me ato pak kursime e me shumë borxh, të gëzuem e të përmalluem, u nisëm për nji rrugë të gjatë!
Itenerari kalonte prej Tirane në Munich, prej aty në Frankfurt ku do të prisnim 16 orë në aeroport për t’u nisë në Amerikë! Shqiptari asht kursimtar…blen bileta avioni ku të jenë ma të lira…prandaj ka pare shumë!
…As gjermanisht e as anglisht nuk dijshim…djemte i dinin 2-3 fjalë anglisht. Në aeroport, aso kohe, lejohej duhani. Mora me ndez nji cigare. Kërko çakmakun, s’ka…kërko, s’ka.
I them tim biri, të madhit, i cili e pinte cigaren si mushk:
– Ma jep pak çakmakun.
Më thotë:
– E treta, mor babë, se i kishte mbarue gazi por mos u mërzit se ta ndezë djali ty, njitash.
Mbasi nxorri nji cigare, hodhi sytë përreth e iu drejtue nji plake aty afër e cila po e thithte cigaren për shtatë palë qejfe. U përkul para saj dhe i foli shqip:
– A ban me e ndezë pak, PLEASE?
Plaka, e cila kuptoi vetëm fjalën e fundit, ia ndezi cigaren me çakmak çunit i cili tuj u përkulë prap, i tha: “THANK YOU”. Kur u afrue im bir unë e ngacmova:
– Po ti e thake anglishten mor bir!”
Ai ma priti:
– Mirë pra mor babush, herën tjetër shko e ndeze vetë.
…M’u gicilue prap hunda per cigare. I them tim biri:
– Shko e ma ndez edhe nji te ajo plaka.”
– Shko vetë mor babë, thueji “a ban me e ndeze pak, PLEASE”?
– Si me i thane? PLIZ ?
– Pliiz, pliiz…me dy “i”, babaluk.
E përsërita me vedi nja dy- tri herë atë “plizin” dhe iu drejtova plakës. U përkula me respekt e i thashë:
– A ban me e ndez pak, PILLS?”
(Ma vonë do ta mësoja se “pills” u thonë në shumës hapave që marrim në farmaci. Prandaj plaka me paska pa me çudi e cila nuk reagoi por ma ndezi cigaren, gjithsesi! Në njëjës i thonë ndryshe hapit por unë jam burrë me edukatë e nuk po mundem me ju a thanë SORRY !).
Mbasi e përshendeta plakën, u ktheva në vend.
– Hë, mor babë, a e shef sa e kollajtë asht anglishtja? Si i the?
– A ban me e ndez pak, PILLS , pra…siç me the ti!
Plasi gazi aq sa të gjithë udhëtaret që ishin aty rrotull, kthyen kokat nga ne dhe ndër sytë e tyne dallova nji si lloj zilie, xhelozie por edhe simpatie…! Ata, me siguri do të kenë mendue se sa e lumtun qenka kjo familje! Po, ne ishim të lumtun. Ne ishim të lidhun shumë me njeni- tjetrin, edhe pse babushi i tyne i kishte xhepat e “shpuem”! /Publikuar në Facebook nga Ymer BALA/