
Gjatë qëndrimit tim për festat e fundvitit në Firence të Italisë, kryeqendren e artit dhe kulturës italiane e botërore, aty ku gërshetohen mrekullitë e natyrës me talentin e Mjeshtrave të Mëdhenj të Rilindjes Italiane: DaVinçi, Mikelanxhelo, Aligieri, e shumë e shumë të tjerë, pata nderin dhe privilegjin që me ndërmjetësinë e mikut tim të mrekullueshëm z. Danjel Çuni, të njihem me një tjetër mik, po kaq të nderuar, me z. Bahri Vulashi, një shqiptar nga Ana e Malit në Shkodër, i emigruar prej vitesh me familje në Itali dhe për këtë i jam shumë mirënjohës Danjelit, pasi me miq të tillë është kënaqësi të rrish e të bisedosh.
E quaj veten të privilegjuar që u gjenda mes tyre, duke shijuar këtë mikpritje vëllazërore, të veshur me qytetari e bujari të pashoqe dhe me aromën e bukës me zemrën e bardhë shqiptare.
I befasuar nga ky takim kaq shoqëror nga kjo surprizë e bukur, falenderoj nga zemra secilin për gjithçka të këndshme që rezervuan për mua nga koha dhe angazhimet tyre. Ky takim dhe kjo pritje kaq bujare më nxitën të shkruaj dhe përcjell për lexuesin këtë krenari shpirtërore që na bashkon gjithmonë ne shqiptarët, sa herë rrimë me njëri-tjetrin.
Djaloshi nga Shqipëria, djali i z.Bahri Vulashi, shkodrani Lulzim Vulashi, një bukëpjekës profesionist, një biznesmen i suksesshëm, një sipërmarrës, por dhe një bamirës i gatuar me virtutin e bujarisë me përshëndetjen tipike të sofrës shqiptare: “Buk e kryp e zemër t’bardhë” të mirënjohur në mbarë Firencen e më gjërë si “Pane Amore Fantazia”, një emërtim i Restorantit të tij, i pa dëgjuar për kohën dhe vendin, por i vërtetë, siç më thanë kur ma prezantuan: “Njihu me këtë biznesmen shqiptar që jep bukë falas në Itali, njihu me shprehjen tipike që ai përdor për të shprehur bujarinë e tij: Ma do shpirti të shoh njerëz të lumtur”.
Me këtë djalë kaq fisnik e zemërbardhë, kishin pse të krenoheshin prindërit e tij, por dhe të afërmit e dashamirët që mburreshin me të dhe thoshnin: “Na ka bërë krenar”.
Miqt e mi gjatë bisedës më treguan emocionet që kanë përjetuar kur Kryetari i Bashkisë së qytetit të Firencës z. Nardella i kishte akorduar z.Lulzim Vulashi titullin e lartë “Qytetar Nderi” me motivacion nderi dhe respekti për humanizmin e tij të rrallë.
I mahnitur nga arritjet e këtij djaloshi të palodhur, tek shijoja gatimet tradicionale në restorantin e tij, arrita të përjetoja dhe shijoja suksesin e bujarisë së pashoqe të këtij shqiptari zemërmirë që kishte bërë emër në tokë të huaj.
Djaloshi Lulzim Vulashi cilësohej si një nga shqiptarët më të suksesshëm, i cili me pasionin dhe vullnetin e tij të mirë, kishte arritur majat në fushën e gastronomisë në Itali, ku krahas punës për zhvillimin e biznesit, kishte bërë edhe shumë akte bamirësie deri edhe duke ofruar ushqim falas për shtresat në nevojë, veçanërisht në peridhën e pandemisë.
Si shumë familje shqiptare edhe familja e Lulit ka sakrifikuar gjithçka të investuar ndër vite në Shqipëri dhe është larguar për një jetë dhe të ardhme më të mirë.
Kështu, si shumë të rinj shqiptar, në shtator të vitit 1996 edhe djaloshi adoleshent, Lulzim Vulashi u bë pjesë e aventurës së rrezikshme të emigrimit, në një kohë shumë të vështirë që përjetonte Shqipëria.
Ky djalosh i burrëruar para kohe, arriti, jo vetëm të ambjentohet në tokën italiane, por dhe të krijojë premisat për të tërhequr pranë vetes familjen e tij. Ishte vetëm 16 vjeç, por me guxim dhe vizion për të ardhmen e tij.
Me të ardhur në Firence ky djalosh i apasionuar pas arkitekturës, ëndërronte të vazhdonte studimet e larta në këtë degë, duke qënë se edhe vetë qyteti i Firencës shquhej për vlerat e tij.
Me gjithë përpjekjet dhe dëshirën për ta realizuar këtë ëndërr të tijën, kushtet ekonomike dhe vështirësitë sociale nuk ia mundësuan, prandaj u detyrua të fillojë punë. Tradita italiane e gastronomisë që ngrinte në pjedistal binomin “Pane e vino”, me të cilën u dashurua edhe Luli nga Shkodra, e nxiti atë drejt një sipërmarrje të madhe që konkludoi me hapjen e një restoranti dhe një furrë buke njëkohsisht.
Suksesi të pasuron xhepin, por shpirtin ta pasuron bujaria, thoshte Luli një fjalë të urtë, tek shpjegonte se si e ndjente kënaqësinë shpirtërore nga bekimet e njerëzve në nevojë, që ushqeheshin nga bujaria e zemrës së tij.
Është vërtetë kosto të dhurosh bukë falas, shprehej Luli kur e pyesnin, por kjo është më e pakta që mund të bëj për këtë vend e këta njerëz që më pritën krahëhapur, sepse këtu u mbusha me shpresë, ku gjeta punën. Ky vënd më siguroi të ardhmen, thotë ai me mirënjohje.
Fillimisht kur hapëm dyqanin, shumica e miqëve të mi ishin në krizë të thellë ekonomike aq sa shpreheshin se kishin frikë të bëheshin me fëmijë. Frikësisë tyre Luli iu përgjigjej “Janë kohë të vështira vëllezër, ndaj bëni fëmij se bukën do ua jap unë”.
Kjo gjëndje u bë shpresëdhënëse, sidomos për emigrantët shqiptarë, por edhe për italianët e thjeshtë që ishin nevojtarë.
Kjo ishte arsyeja, tha Luli, që më shtyri të jepja sa munda nga vetja për bashkëvllezërit e mi e jo vetëm, se ashtu si ne, kishte plot emigrantë të kombësive të tjera, por edhe vendas.
Fillimisht nga të ardhurat e biznesit ofruam ndihmë për nënat shtatzëna, familjet me fëmijë deri gjashtë muajsh dhe ato më në nevojë, pastaj sa më shumë rritej biznesi aq më shumë zgjerohej mundësia për tu dhënë ndihmë edhe të tjerëve.
Ajo që Lulit i ka dhënë forcë në gjithë këto vite në “Pane Amore Fantazia” ka qenë puna e tij për prodhimin e atyre produkteve, por që ka arritur të kthehet në një shkollë që ta bëjë krenar dhe t’i thotë Botës se edhe ne jemi të mirë në këtë fushë.
Një shqiptar model nga i cili mund të krenohemi të gjithë ku siç thoshtë Nënë Tereza, “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe” dhe unë pa frikë mund të them se Lulzim Vulashi është shëmbulli i gjallë i kësaj fjale të urtë.
Ky biznesmen që çdo gjë e ka arritur me një vullnet e pasion të jashtëzakonshëm, ka edhe momente që me respekt kujton edhe ngjarje të veçanta ku e ndjen veten të nderuar dhe të respektuar.
Ai kujton me respekt ish Kryeministrin Renzi, një fiorentin i thekur, i cili vinte në “Pane Amore Fantazia”, shijonte prodhimet, madje për këtë ka shkruar edhe një letër përgëzimi për arritjet dhe sukseset e Lulit.
Ky lokal është i vogël, por me zemër të madhe. Është në një nga rrugët më të bukura të Firencës dhe një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët që mblidhen aty dhe që janë të pasionuar për gatimet shqiptare dhe italiane, të cilat: “E kush i bën më mirë se Luli”.
Luli është i lidhur shumë me Shqipërinë, sepse para se të bëhej i njohur me “Pane Amore Fantazia”, ishte një ndër të parët që organizonte koncerte me këngëtarë shqiptarë që i sillte në Itali. Kënga e bukur shqiptare kishte aromën e bukës sonë tradicionale që Lulzim Vulashi jo vetëm e prodhonte, por edhe e bekonte me zemrën e tij të bardhë.
U largova i mrekulluar me besimin se njerëz të tillë na mbushin me optimizëm për ta merituar emrin e denjë “SHQIPTAR”! /Nga Ramazan ÇEKA/