
Sot ne Arbnorët kremtojnë datlindjen e Atit tonë tokësor: Gjergj Kastriotit të Motit të Madh. Kushdo që mendon se Gjergji rron veç në fletë librash a plazmime bronxesh, ka me u kthjellu posa të bëjë një qarke nëpër viset e Gjergjit e të flasë me gjind. Aty ka me u mahnitë siç u mahnita unë para shumë vitesh se ka me pa si kallxojnë për Kastriotin si me qenë ende bashkëkohas me ne, e të duket sikur Ai sa është çu s’andejmi me shku dikund e ka me ardhë prap, shpejt, zere se ēshtë aty mbas dere, nuk vonon. Po prite, e takon.
Kët përshtypje a mbresë të thellë pata vetë në vitin 2008, kur Dialogu me Shqipërinē për Arsimin më dha shkas me shku në Luginë të Matës. Asokohe sa herë dilja jashtë Tirane, shkoja gjithnji dy orë para ngaqë shtysa e gjuhëtares më cyste: “hik e mlidh, fjalë e tradita, një rrugë e dy punë”. E kështu at mot shkova dy orë para, gjeta do të moçëm të ngeshëm tu kuvendu aty në Zenisht e u ula tu fol me ta, me sytë nga Lugina. E dikur dikur iu them: “Sa e bukur kjo Luginë e Matës mor gjind! Pse e keni lanë kaq mas doret?!”.
Pergjigja: “Jaaa, s’ban, nuk bahet! A din pse jo? Se e ka namë Skanderbegju”.
“Prite Zot rrezikun – i them vetë – e si namka Gjergji dheun e vet?!”.
Edhe ata m’kallxun ket që unë po e riprodhoj siç e ndiva:
“I tu e pak ma cipër asht Suçi e kesha (kisha) e Suçit. E njajty ke kesha e Suçit vijte Skanderbegju me meq (miq). Ke kanokt (konakët) e keshës hajte buk e pijte venë. Njaj nate si pat ra me fjetë, niu (ndiu) Skanderbegju do t’rrafme kolsh (trok kuajsh). Çoniu veshniu bourra – tha – se na rrethuneh!
Dulne jasht qashtu vesh e math e me teha përdore, gati me u nesh (ndeshë), kur me pa ç’me pa, ishin pas rrejtë pse kolt (kuajt) e tyne vetë n’grazhd qenë picku e qenë harmu (harbu, nxef).
U flliq e u marru Skanderbegju e njaty-njaty ja preu: SUÇ- E U DUKSH! SUÇ- E HOUPSH (HUPSH, HUMBSH). Q’aty-aty, s’ka pa ma hajr kij ven!”.
Këtu mbaron gojdhana që ndiva e m’thoni ju tash se ku rron Gjergji! Paç jetën e jehun sa populli yt o Ati ynë i përbashkët! Ngamot datëlindjen! /Nga Ledi SHAMKU SHKRELI, publikuar në Facebook/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!