NGA ILIR META – 17 maji 2017, dita më e errët e pluralizmit politik në këto 32 vite…

Sot është 17 Maji, që do të kujtohet si dita më e errët e pluralizmit politik në këto 32 vite, pasojat shkatërrimtare të së cilës për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe sistemin e llogaridhënies në vendin tonë, të gjithë vazhdojnë t’i ndiejnë edhe sot shumë rëndë, siç i kanë ndjerë çdo ditë të këtyre 5 viteve që kanë kaluar.

Ajo marrëveshja e turpshme dhe tinzare, e realizuar në errësirë të plotë 5 vite më parë, tashmë është e ekspozuar në dritën përvëluese të diellit për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.


Është mëse e qartë se ajo nuk ishte vetëm një marrëveshje kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që u zhvilluan në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, duke penalizuar madje edhe aleatët që qëndruan me muaj të tërë solidarë në çadër, për të vijuar gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe më pas.

Jo vetëm kaq, por ajo marrëveshje vijoi edhe përgjatë 5 viteve dhe ende gëlon.

Ishte pjesë e zbatimit të marrëveshjes së 17 Majit edhe djegja e qëllimtë dhe e mirëkoordinuar prej kohësh e mandateve parlamentare të opozitës duke i garantuar pushtetit kapjen e plotë të Parlamentit dhe të të gjitha institucioneve të pavarura, që zgjidhen prej tij.

Ishte pjesë e marrëveshjes gjithashtu, edhe bojkoti i zgjedhjeve vendore duke i dhuruar partisë-shtet, kontrollin absolut mbi të gjitha Bashkitë dhe 100% të Këshillave Bashkiake.

Ashtu, sikurse ishte pjesë e asaj marrëveshjeje, edhe mosregjistrimi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, datë që e zgjodhi vetë.

Ishte pjesë e asaj marrëveshjeje, që t’i lehtësohej puna Qeverisë përmes Parlamentit të kapur 100%, për të kaluar me nxitim dhjetëra koncensione korruptive, të pasurive dhe shërbimeve publike, pronë e popullit shqiptar, si dhuratë për një grup oligarkësh në shërbim të pushtetit.

Shembja e Teatrit Kombëtar, tre vite pas marrëveshjes, apo dy vite më parë nga sot, pikërisht në datën 17 maj, ishte pjesë e një bashkëpunimi të qartë dhe tashmë pjesë e një politike të mirëstrukturuar për të zhbërë identitetin kulturor e kombëtar, si dhe për të nxjerrë në ankand të gjithë trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit.

Gjithashtu, shitjen e zgjedhjeve të 25 Prillit te Pushteti, duke prishur në heshtje marreveshjen e hapur te 5 Qershorit, padyshim që ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë.

Ishte pjesë e asaj marrëveshjeje, bojkoti i reformës në drejtësi, që bëri ajo lloj opozite, që e lehtësoi kapjen e plotë të drejtësisë së re nga gryka nga Qeveria aktuale.

Pasojat janë të njohura për të gjithë:

Bllokimi i plotë i integrimit europian prej vitesh;

Shpopullimi më i rëndë dramatik historik i vendit, që nga vendosja e demokracisë dhe zhytja e tij në borxhin më të madh, të të gjitha kohërave, me më shumë se Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor.

Shumica e familjeve shqiptare i dinë dhe i ndjejnë kostot e kësaj marrëveshjeje çdo ditë në jetën e tyre.

Shqiptarët sot ndihen jo vetëm të shpërfillur dhe të nëpërkëmbur nga arroganca e pushtetit, por ajo që është më dramatikja është se ndihen të pambrojtur nga opozita e “Facebook”-ut.

Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë 17 Majin, dhe jam i sigurt se 17 Maji i ardhshëm do të jetë diçka tjetër. Do të jetë i tillë sepse nuk duhet të harrojmë kurrë atë marrëveshje që turpshme, që ndodhi në errësirë 5 vitë më parë kundër demokracisë, kundër shtetit të së drejtës, kundër sistemit të llogaridhënies dhe kundër të drejtave më bazike të qytetarëve shqiptarë.

Kush përfitoi në 5 vite? Përfituan një grusht oligarkësh.
Kush u dërmua? Familja e thjeshtë shqiptare, shtresa e mesme që u varfërua dhe ajo më e varfëra që është dërmuar fare. /Nga Ilir META, president i Republikës së Shqipërisë/