Intervistë ekskluzive me Alfred Bardelin – “Mjeshtër i Madh“, kampionin e jashtëzakonshëm të sportit shqiptar që u ba protagonist i nji ngjarje tjetër po aq të jashtëzakonshme: Hapjes së kishës mbas 45 vjet diktaturë.
Përshëndetje Alfred, si asht e verteta për hapjen e kishës katolike në nandor të vjetit 1990? Ti ishe nji nga protogonistët kryesor. Cila asht data e saktë?
Alfred Bardeli: Po filloj të permendi datën 4 nëntor 1990 kur Mark Murana që jetonte përballë vorrezave katolike të Rrmajt shkoi te shpija e Dom Simon Jubanit dhe e ftoi me ardhë në vorrezat e Rrmajve me çue nji meshë. Me gjithë frikën e madhe që sundonte gjithandej prej represionit komunist, Dom Simoni u nis për në vorreza. Aty në prezencën e rreth 50 personave që ishin mbledhë spontanisht për javën e të shuemve, çoi nji meshë të shenjtë. Sot aty asht vendos nji përkujtimore e hapjes së kishave, porse data e vertetë e hapjes të kishave asht 11.11. 1990 ku morën pjesë 50 mijë vetë.
Pse ishte kaq e randësishme hapja e kishës për momentin historik që po kalonte vendi?
Alfred Bardeli: Hapja e kishave sot 31 vjet ma parë 11. 11. 1990 ku Dom Simon Jubani në prezencën e 50 mijë banorëve pa dallim feje celebroi meshën e parë, hapi rrugën e demokracisë e besimit të lirë fetar. Në deshminë teme asht gjithçka e vertetë si ngjarja ashtu edhe protagonistët: Disa nga faktet që do të jap në këtë intervistë asht hera e parë që publikohen.
Po të lutem, une gëzohem që këto ngjarje kaq domethanëse për historinë e Shqipnisë të shkruhen nga vetë protogonistët e saj e ti je nji nga ata.
Alfred Bardeli: Duke qenë nji nga protagonistët kryesor e nji nga njerezit ma të afërt të Dom Simonit, siç shifet në fotot e mëposhtme ku në meshën e parë me Dom Simon Jubanin jam në krah të tij afër elterit me datën 11. 11 . 1990 , e më pas në meshën e parë në kishën e Laçit në krah të pader Leon Kabashit me datën 17. 01. 1991 unë gëzoj të drejtën morale dhe historike me e mbrojtë këtë dite me dëshminë teme.
Pse a ka rrezik që kjo datë të shkruhet nga jo protogonistët?
Alfred Bardeli: Duke pa se sot kanë dalë protagonistë disa njerëz që nuk kanë marrë pjesë në hapjen e kishave , i tham publikisht atyne që shkruajnë libra për hapjen e kishave dy fjalë: Mos u bani bashkëpunëtor të djallit, se ata që ndërrojnë historinë janë njerëz të djallit e jo të Krishtit, duke i hequr mundin e sakrificën njerëzve që me të vertetë kanë dhanë kontributin e tyne për fe e për demokraci duke i zëvendësu me njerëz të tjerë.
Njerëzit që kemi kenë ma afër Dom Simonit e pader Leonit jemi nji grup i vogël dhe e njohim shumë mirë njeni- tjetrin. Pse kanë kaluar 31 vite kujtesën e memorjen e kemi si atë ditë.
Kush asht fajtori për ketë modifikim të së vertetës?
Alfred Bardeli: Unë nuk i vë faj drejtueve të kishës sepse ato nuk kanë kenë në atë kohë prezent por njerëzve që ato i kanë besu e kanë ndërru historinë. Unë i kam sherby kishës nga data 5 nëntor për pastrimin e rregullimin ku do tu jepte mesha nga Dom Simon Jubani në kishën e Rrmajve, të vorrezave ku kapela ishte e djegun, e deri me datën 5 mars 1991, plot 4 muaj sepse nga data 6 mars jam nisë për Itali ku nga data 7 mars jam emigrant e kam ndërtu jetën teme.
Cili asht kujtimi ma i bukur i asaj dite?
Alfred Bardeli: Më kujtohet shumë mirë data 10 nentor ku kemi ndejt gjithë natën në vorreza duke ndezur zjarre për me u nxehë, ishim të gjithë të rinjtë grupe- grupe duke e kaluar natën për me pritë të nesërmen datën 11 nentor që Dom Simon Jubani do të celebronte meshën.
Frika ishte e madhe sepse ishte hapur fjala që të gjith vagonat e trenit ishin të mbushun me polic të ardhur nga Tirana e do tu bante nami. Po besimi të Zoti ishte ma i madh, ishte çu i gjithë populli në kambë se i kishte ardhë koha, popullin nuk mund ta ndalonte kush ma.
Si vazhdoi ngjarja e jashtëzakonshme?
Alfred Bardeli: Mbasi Dom Simon Jubani celebroi meshën, jemi nji grup i vogël që e kemi shoqënu Dom Simonin deri te dera e shtëpisë, ku bashkë me mua ishin Z. Gjoni, Rr. Bardeli, Z. Kiri, T. Temali, M. Kepi, A. Mhilli, Rr. Shtjefni, Gj. Zefi; ku unë e kam pas të shtrënguar për krahit Dom Simon Jubanin e nga krahi i jem asht shkëput e asht futë në shtëpinë e vet.
Momenti tjetër i jashtëzakonshëm asht i atyne ditëve të nëntorit 1990 ka kenë kur mbas hapjes së kishës së Rrmajve, vjen te shpija e Dom Simonit, Hafiz Sabri Koçi me tre persona të tjerë me fol për nji provokim që kishin ba komunistët duke çu letra e ofendu fenë muslimane e Hafiz Sabri Koçin, sepse e kishin hale në sy bashkëpunimin kaq vllaznor të katolikëve e muslimanëve.
Si u zgjidh ky problem kaq i madh që hapën provokuesit ateisto- komunistë?
Alfred Bardeli: Më kujtohet si nji tesh kur kemi shku na si përfaqesues të kishës katolike në hapjen e xhamisë, sepse nji javë më parë në Rrmaj të njëjtën gja kishin ba vëllezërit tonë muslimanë kur kemi hapë kishën katolike. Fryma e lirisë së besimit ishte ba nji. Ishte terr mbramje vonë bashkë me mua ishte Z. Gjoni, Rr. Bardeli, K. Sermi, ku ishte shumë e bukur me pa se si Dom Simoni e Hafiz Sabri Koçi e zgjidhën problemin duke i shtrënguar dorën njeni- tjetrit e nuk ranë në provokimet e Sigurimit të diktaturës që donin të nxitshin besimtaret kundra njeni- tjetrit.
Ky moment mbetet nji nga ma fisniket e qytetnimit shkodran e sa keq që nuk asht fiksue siç duhet në kujtesën tonë. Po ndonji kujtim tjetër të fuqishëm të këtyne ditëve të jashtëzakonshme a mundesh me e nda me ne?
Alfred Bardeli: Në kujtesën teme duke kenë nji nga personat ma të afert të Dom Simonit më kujtohet që në shtëpinë e tij erdhi nji grup parlamentar për të drejtat e njeriut nga Belgjika. Aty bashkë me Dom Simonin kemi kenë unë, Z. Gjoni, Z. Kiri, e M. Morana.
Më kujtohet kur kemi marrë nga nga muzeumi ateist të gjitha statujat e shenjta e i kemi vendosur përrreth kapelës se kishës.
Më kujtohet kur Dom Simon Jubani do të shkonte për vizitë në Itali, shkuam në postë, në kabinën telefonike me folë me personin që do ti bante garancinë, ai ishte nji shqiptar që jetonte në Udine të Italisë emni i tij ishte Zef Margjini. Bashkë me Dom Simonin atë natë kemi kenë unë , Z. Gjoni , Rr. Bardeli, Z. Kiri M. Morana.
Nji tjetër kujtim i jemi asht kur në shtepinë e Dom Simonit kanë ardhur gazetar të huaj nji ndër to edhe gazetar të gazetave ma të rëndësishme italiane si “Corriere Della Sera” unë kam kenë aty prezent, në kujtimet e mija asht edhe kur kanë ardhë përfaqësues të Ambasades Italiane të cilët kanë ardhur dy herë për hapjen e kishës me 11 nentor edhe për Kshnella me 24 dhjetor ku unë i kam shoqëruar te dhoma e Dom Simonit te kapela e kishës, ku si përfaqësues të ambasades italiane ishin sekretari Paolo me dy funksionarë të Tjerë Gabriela e Pino.
Ndër kujtimet e mija asht mesha e parë në kishën e Shejtit Shna Ndue në Laç me pader Leon Kabashin me datën 17. 01 .1991. Pader Leon Kabashi ka ken komshia jem ne Rus Katolik e ka ardh te shtëpia ime, më ka kërkuar m e ndihmu me dhanë meshën në Laç e me i ndejt afër. Unë i kam thanë “po mar pader Leon rri pa marak se vij e të marr, japim meshën në Laç e të shoqëroj edhe nji herë deri në shtëpi”. Për kishën e Laçit kane dhanë kontributin e tyne shoket duke fillu nga Z. Gjoni, A. Mhilli , V. Mhilli, V. Sermi, Z. Kiri, T. Temali, M. Kepi , P. Çekini.
Për kontributin e tyne e sakrificat që kanë ba nuk duhet të lihen në harresë edhe këto shokë: A. Mhilli, V. Mhilli, Rr. Shtjefni, V. Shtjefni, Gj. Zefi, M. Çupi, J. Celi, T. Araqi, V. Sermi, Ardiani ndihmësi i meshes se parë nuk ja kujtoj mbiemnin, Helidoni ndihmësi tjetër i meshës ja kam harru mbiemnin, P. Çekini, Ç. Sokoli. Këto emna që unë permenda ja kam dhanë edhe kishës. Në rast se kam harru ndonji shok pa i dhan emnin, asht ba pa qëllim të keq vetëm për harresë e të më falin.
Kryemnistri aktual shqiptar në kujtimet e tija flet se ka qenë edhe ai nji protagonist i hapjes se kishës se parë mbas mbylljes famëkeqe që i bani diktaura, si vendi i parë ateist në botë. A ke ti ndonji kujtim nga ky person, i cili atbotë ishte edhe sportist e mund të ketë ra në sy nga fiziku i tij i naltë.
Alfred Bardeli: Përsa i perket kryeministrit të them të vertetën nuk e kam pa sepse kanë kenë 50 mijë persona , e unë jam marrë kryesisht tu u përkujdesë për Dom Simonin e nuk mundem me i mbajt në mend sa persona kanë ardhë me pa meshën.
A ke ndonji dëshirë apo pyetje për personat që po hiqen si protagonistë të pa qenë?
Alfred Bardeli: Ku keni kenë ju që nuk jeni në kujtimet i mija? E sot jeni protagonistë. Mos rreni se nji ditë do të delni para gjykimit të Zotit, unë drejtuesve të kishës nuk i vë faj sepse ato nuk kanë kenë në atë kohë por njerëzit që ato i kanë besu kanë ndërru historinë duke vu si protagonistë miq e shokë, ku nji pjesë e tyne mund të kenë ardhë vetëm me pa meshën me 11. 11.1990.
Historinë nuk mundeni me e ndërru janë shumë persona që keni lanë jashtë që janë dëshmitarë e për fat të mirë, janë gjallë e munden me e dhanë dëshminë e tyne, po ashtu janë edhe fotot si deshmi e vertetë. Dua të theksoj se nga data 5 nëntor 1990 e deri me 5 mars 1991 plot 4 muaj kam kenë prezent afër kishës e Dom Simon Jubanint, që nga data 7 mars jam emigrant në Itali. Përsa i përket datave që unë theksova, për 4 muaj rresht e njoh shumë mirë historinë sepse kam kenë prezent si në shtëpinë e Dom Simonit gjithashtu edhe te kisha e Rrmajve te vorrezat. Ne njerëzit ma të afërt të Dom Simon Jubanit jemi nji grup i vogël dhe e njohim shumë mirë njeni- tjetrin, e dimë shumë mirë kush ka dhanë kontributin për hapjen e kishave e kush i ka dhanë Sigurimit të Shtetit të gjitha informacionet.
Dua të theksoj se vetëm nji pjesë e vogël e shokëve tonë njohin kujtimet si unë ku i permenda më lart në shkrim, njerëzit e protogonistët e vertetë.
Intervistën e kam titullue, “Nga kapela e Rrmjat në Vatikanin e Shën Pjetrit. Kjo asht njiherësh edhe si urë ku ka kalue jeta jote tash 30 vjet në Perëndim. A ke ndonji kujtim nga kjo ditë në Selinë e Shën Pjetrit?
Alfred Bardeli: Siç e thashë ma nelt, nga data 7 mars 1991 jam emigrant në Itali, nji ndër kujtimet ma të bukura asht vizita në Vatikan takimi me Papën Gjon Pali II duke qenë nji nga protagonistët kryesor të hapjes së kishës. Me ndihmën e Karitasit të qytetit të Astit e ipeshkevit Severino Polletto andrra jonë u ba realitet duke na çuar në Vatikan në takimim me Atin e Shenjtë.
Siç shihet në foto këtu jam duke u përshëndetë me Atin e Shenjtë. Papa me dhuroi nji palë uratë që janë edhe dhurata ma e shtrejtë e jemja që mund të ketë nji besimtar katolik. Kjo vizitë ka ndodhë mbas tri javësh që kam mbërritë si emigrant në Itali: Me datën 7 mars kam mbërritë në Itali e me 27 mars 1991 kam qenë në Vatikan në takim me Atin Shenjtë. Së bashku ishin edhe miqtë e mi Rr. Shtjefni, M. Çupi, J. Celi të cilët kanë dhanë kontributin e tyne për hapjen e kishave e ardhjen e demokracisë në vendin tonë.
Të falenderoj për intervistën e dëshminë autentike Alfred.
Alfred Bardeli: Edhe unë të jam mirnjohës për intervistën Gjergj. /Intervistoi: Gjergj Jozef Kola/