Me ardhjen e demokracisë, mbasi dola në pensionin e mësuesisë, si shumë të tjerë, vendosa të merrem me tregti. Punoj shitës elektroshtëpiakesh (kryesisht frigoriferë, lavatriçe e televizorë), me shokun tem Gustin, në firmën “Blejmë e shesim”, me president Viktor Dedin (firmë e njohun, e respektueme, e ndershme dhe e liçensueme)!
*
Prej vendndodhjes së dyqanit (përballë Bankës e në qendër të Pjacës) si dhe të zhvillimit që mori tregtia (deri në atë kohë me mungesa të shumta të këtyne artikujve, të cilat mund të merreshin me autorizim, vetëm prej familjeve me biografi të mirë politiko – shoqnore), çdo ditë këtu përsëriteshin e përvijoheshin episode të shumëllojshme prej jetës së qytetit. Kishte lëvizje e gjallni gjatë gjithë ditës, se kalimi në demokraci e liri, i mësoi të gjithë se ose puno të kesh, ose zhduku të mos jesh!..
*
Simotrat e firmës sonë, shpejt filluen veprimtarinë tregtare të tyne edhe firmat e tjera si ajo e vëllazënve Luka (Agron e Lekë), Din Sharra, Cen Bushati e shok, firma “Nuti Agron”, “Shkreli – pajisje elektrike2, kinkaleri Aldo, librari Cuf Shpuza, nji argjendari, blumje kafe “Fistani”, pijetore “Lula e Mhilli”, orëndreqës “Sahati”e plot kafe e klube e fotograf “Nënshati”…
Bie në sy e shquhet ndër to edhe firma prestigjioze e tejet serioze, me pajisje të ndryshme moderne pru prej Italie, me president tregtarin e ri, Riza Rusi . Rizaja me aktivitetin e tij të suksesshëm, filloi të krahasohet (prej qytetarëve të vjeter të Shkodrës që e mbanin mend), si mbasardhës i denjë i firmës “Çoba e Bianchi”. Ishte ky që në ditët e vështira të kombit, ndër të parët, u erdhi në ndihmë vëllazënve kosovare!
Të gjithë këto tregtarë të rinj, ishin punëtorë të ndershëm, pasqyra të familjeve të vjetra shkodrane që me vullnet e pasion për punë, treguen kulturë, dinjitet e vlera për rikthimin e traditës tregtare të Shkodrës!
*
Rreth kësaj oaze të vogël tregtare, quejtun Pjacë e Dugajë të Reja, (nji Broadway shkodran), silleshin çdo ditë, prej nadje deri në mbramje edhe shitës ambulante me kioska, qebabxhi, hallexhi, shitës fare lule dielli, cigareshitës me tegza të varuna në qafë (disa edhe fëmijë), matrapazë etj., etj. që punonin për bukën e gojës. Nuk mungonin as dembelë, veteranë lufte e pune, debilë, rrota mullini, kambistë e xhepistë (Dollari ishte rritë e ba sa nji tepsi), si dhe hajdute të kokave të antenave parabole që sapo ishin ba të njoftuna, tuej zëvendësu sajesat me teneqe.
Të gjithë këto rob e gjysë robësh, kishin mbetun pa punë prej mbylljes së fabrikave e punishteve socialiste e teshti vuenin prej papunësisë, vorfënisë e dembelisë, ndonëse ishin edhe pishtarë të demokracisë!.
*
Në këtë mori lëvizjesh nuk mungonin asnji ditë: Selimi i gurabijave (burrë i shkurt e topolak), Gafurri i qebapëve me furnele (merrte furnizim si dorë e dytë prej Naimit, specialist për prodhimin e këtij ushqimi, ba tashma i ditës e praktik), ishte edhe Ndoja i mbushjes së çakmakëve me gaz ( qe ulë në stol të kujton gështenjapjekësin e Migjenit), Xhoda i gazetave e Nexhoja i barcoletave.
*
Në klubet e shumta gjeje pensionistë që rrinin gjithë ditën me dy kafe të dyta, tuej sha qeverinë për pensionet e vogla! Ndërsa në disa tavolina rrinin ata që kishin ndërru zanate, e tashma nga kuadro e shokë partie, ishin ba bisnezmen e zotni tregtie.
Në tavolinat e tyne binte në sy cilësia e fernetit që pinin, aroma e konjakut e gradacioni i rakiseë! Bisedat e tyne ishin për inaugurime kioskash, marrje liçencash (sapo kishin fillu), krijime partishë, organizatash e shoqatash, punë pronash, shitje shtëpishë e ndertim vilash, dhanje e marrje me kamatë lekësh, interesa martesash e fallsifikime shkresash!
*
Nji ditë pamë diçka të veçantë. Veprat e tiranit ishin shpërnda e shkapardredhë nëpër rrugë e njerëzit i shkelnin me kambë. Miqtë tonë, tregtarët e vegjël, po i mblidhnin me kujdes fletë- fletë.
Unë e Gusti u çuditëm e me mend thamë: “Iriqi në ferrë se në ferrë, ala e duen diktaturën!? Por ishim gabu.
Për të mbajtë dyqanin hapun, hanim aty drekën. Tradicionalisht, si çdo ditë, Gafurri na bjen qebapët e mbështjellë me letër. Kur të befasuem lexojmë: “Imperializmi e revolucioni fq.69, 78…”, në nji pështjellëse letre tjetër “Titistët” fq …etj., etj…
Ndërsa Kasemi që tregtonte letra higjenike,u anku se që atë ditë që Pjaca u mbush me letrat e diktatorit, i asht paksu shitja e letrës higjenike!… /Nga Lukë LUKA, publikuar në Facebook, redaktuar nga ShkodraWeb/