
U kishte mbet’ koha e ndalun brezave me rradhë të tan qytetit, sepse dikush e paska kuptu që para 32 vjetëve se nuk u duhej ma Ora shkodranëve për 32 vjet.
Fshehësi i orës së qytetit dëshironte që nji ditë ta kthente prap, po kujt? Kalonin mbi qytet nomenklatura të reja, kalonin vite, tërmete, rrënime, dhunime, tubime, largime, harrime, shkelje, mashtrime, festivale, tritol, tubime, premtime, karnivale…nga ndonjëherë digjesh dordoleci (!!!).
Qyteti mbahesh peng në emër të besnikërisë ndaj gjysem birit të vetshpallun i lindun shkodran (Tepelenë e Gjakovë). Përfitoi nga ky fakt edhe shtëpia e Oso Kuka-s me u ba muzeum…se Osoja e kish pas për nder që pasi u dogj në kull’ të barotit në Cetinë, do kish mbet’ as legjendë, do kish hup siç hupi në tymin e fuçive të barotit kur ia dha flakën.
U shemb shtepia e Gurakuqëve për të mbijetue historia e akteve e heroit të perestroikave kombëtare, të cilit Shkodra post- perestroikane, i ndejti aq besnike, sa edhe sot disa (jo shumë shyqyr) klithin e çirren me dy gishtat në forme V, atje në Tiranë, poshtë katit të 6-të të pallatit të ikonës së fundit të komunisteve stoikë.
“Pluralizëm do të thotë”-thirri para mikrofonit ish- presidenti i 1990- ës. Tani e tutje meqë partia krijoi grupin e parë opozitar PD, PR, PDK, PSD etj., PS do jetë vazhdimi i PPSh- së.
Kush me e marr vesh se ish dhuratë nga Ora? Kush ta merrte vesh se duhej besue edhe pas dekadash se PD ishte kundër ish- anëtarëve të Byrosë që u dënuen pa mëshirë se na vodhën kafenë. Për çdo kokçrr kafe duheshin dënuar.
Në javët e para të dhuratës që sapo u besue, natën, nji nostradamus shkodran, ngrihet sommabul, (ndoshta i vetëm) ngarkon Sahatin apo ndoshta vet Ora e Shkodrës i lutej për natë dhe i kërkoi ndihmë ta strehonte, që turma ta copëtonte edhe këtë si copëtoi në emër të demokratëve uzina, fabrika, reparte ushtarake, plantacione vreshtash, pyje, ndërtesa, njerëz.
E mori Orën e jo sahatin. “Kjoftë sahati i hajrit”. Thirri ndërgjegja e shpirtrave për rreth. Ai ia fshinte pluhurat për çdo ditë. E ledhatonte.
Lindja e perendimi i diellit edhe pse konsumonte jetën e tij ai dashurohej me Orën e qeshte dhe tallej…me ata që nuk e kishin me ata qe as nuk interesoheshin se kur e si ju vdiq Ora apo i iku Ora.
Ah bani qejf por Ora asht këtu, e ju Orën e Shkodrës ku e keni?!? Atij nuk i mbushej mendja se çdo kontigjent i ri i monizmit të dytë nuk sillte diçka sado pak progres, pra nuk ishin të duhurit. Ky paska kenë komunist i devotshëm dhe opozitë 32 vjeçare. Por jo besa.
E paska dasht Shkodrën krejt si unë që “e due ma shumë se partitë”. Kush ban sadopak për Shkodrën, për mu e shumë “open minds”, asht i duhuni.
Paska ken jo opozitar por nga njerëzit edhe me ca hije në të kaluemen.
E atij i dukej se në tan këta dekada, edhe pse koha po konsumohej keq e aq shpejt por disi po ngazëllehej, se paku ai ishte me Orë. Sepse dikush qytetit po ua vidhte sekondat, minutat, javët, muajt, vitet, jetën në nji mënyrë a nji tjetër edhe këtij.
Para disa ditësh ky heroi i pa emën, pa operacion okulistik, i pa detyruem nga forcat e policisë, u vetëdorëzue. Ndoshta ai asistoi në djegien e dordolecit të karnivaleve ma të bukura e masive në 150 vjet në qytetin e tij.
E imagjinoj të përlotuem sepse ma në fund erdh dita…e shum pritur. Mendoi: “Shkodrës iu kthye Ora”. Për ne Gegët, Ora ka nji personifikim shumë ma të madh se fati, sepse e lidhin me ShtoiZo’vallet e me Orët e Maleve. “Ndihmo Zot e Ora e Shalës”, kaluen breza me radhë. S’ ka pas ofendim ma të madh me t’ofendue se “të vdektë Ora”.
Orët (Zanat) e Maleve vallzonin në prani të herojve të tyne mitologjik. Oret shuenin etjen e trimave. Orët ushqenin me qumështin e gjirit të tyne dhe bekonin herojt’ e ardhshëm. Oret po të mallkonin, ishte katastrofë e ardhmja në përgjithësi për atë njeri, për atë fis, për atë krahinë, për atë shtet.
Orëve shpesh Zeusi ia plotësonte deshirën edhe me i gjuejt’ me rrufe ata që i lëndonin, dragojt, djajt dhe reptilat.
Me praninë e bekimin e Orëve paralajmërohesh edhe ndërrimi i epokave dhe mirësive, p.sh. mitologjia thotë se Orët rriten me qumështin e gjirit edhe Aleksandrin, Pirron, Gentin , Teutën, Bardhylin, Gjergjat, Mujon e Halilin…
Epokë e re. Shqipnisë pak ma përpara por tashma Shkodrës, iu kthye Ora. /Nga Frederik NDOCI, publikuar në Facebook/