![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2022/12/fatjon-gjinaj-goditja-berishes-2022.jpg?x28643)
“Lirojeni atë fatkeq, autori i vërtetë i incidentit është ulur në Samit”.
Kështu do të thoshte Sali Berisha para mijëra mbështetësve e simpatizantëve që kishin mbetur të shtangur nga grushti i “një fatkeq” që ishte përplasur në fytyrën e tij, njeriut që krijonte bindjen e të paprekshmit.
Ai, Sali Berisha, thyen çdo rekord të daljeve të tij mes shesheve e mes njerëzve, e shpesh kishte kritikuar truprojat e tij, për veprimet hera-herës “agresive” ndaj turmave që suleshin drejt tij për t’i shtrënguar duart, bërë një fotografi apo shkëmbyer dy fjalë. Nuk imagjinohet dot një Sali Berishë që zbret ku ka njerëz e nuk rrethohet vrullshëm prej tyre, sa di të them që mua kur më ka qëlluar të ndjek ndonjë aktivitet të tij, ka qenë e vështirë ta bëj punën time, ti afrohem dhe ta kem në plan, jo prej truprojave, por prej atyre që e mbajnë në këmbë dhe i japin energji e elektrizim një 78-vjeçari, që ndokush ndoshta pyet veten se “çdo ky njeri ende në krye të marshimit politik e opozitar”. Që të jem fare i qartë, nuk kam as më të voglën simpati të papërmbajtur për asnjë “uragan” që ka tërhequr e udhëhequr turmat këto 30 vjet, ama kur të jem 78-vjeç, nuk e mohoj që ku ta gjej të jem një Sali Berishë si ky që përshkrova më lart, e gjithçka që thashë është fakt dhe vetëm fakt, pastaj përjashtoj ta përfshij veten në analiza pa thelb dhe që nuk kanë provuar asgjë prej kaq dekadash, përveçse kanë shërbyer për ta tërhequr për hundësh këtë popull të mjerë, manipuluar e frustruar.
Sali Berisha u godit nga një grusht i cili ishte më i fortë se vetë ai që e nxiti dhe për këtë jam i bindur. Por ai iu përgjigj grushtit me një maturi, të paktën të momentit, që duke patur parasysh karakterin e tij të fortë, sulmues, të ashpër e surprizues, më ka habitur. Kur mora vesh lajmin çfarë kishte ndodhur dhe e pash të ngjitet në podium, mendjen e kisha vetëm nga cila anë do ta ndjek turmën drejt Samitit, por nuk ndodhi aspak kështu, pavarësisht se turma mbërriti në formën që diti ta çojë Sali Berisha atje. Ekranet televizive që ishin të ndara në dy pjesë, u fokusuan vetëm aty, tek një pjesë, “prorusët” e “anti-prrëndimorët” që kishin mbuluar sheshin me flamujt e Kombit e të Europës. Tek shqiptarët, quajini besnikët e Berishës po të doni, por ata ishin zëri dhe shpirti i Shqipërisë, të cilët njoftuan kancelaritë e botës se cilët jemi ne e ç’po punon politika mbi kurrizin tonë.
A nuk jemi ne, të majtë e të djathtë, apo që s’na rruhet për asnjërin në ndonjë rast, që në ato bisedat tona vajtuese e qahallëse, nëpër kafenetë e sofrat ku shtrohemi, zbulojmë dhimbjet e shpirtit e hallet e kurrizit me njëri-tjetrin, për çmime, për kosto, për lirinë e shprehjes, për censurën, për burokracinë, korrupsionin, vjedhjet, rendin, tenderat, koncesionet, kauzat e shitura…? Pra ne jemi, e faqen e zezë e paçim, kur gjykojmë e paragjykojmë guximin e njerëzve që flasin, me nervin e dalë përshpirti, e shpirtin e dalë përhundësh.
Po kthehem tek grushti!
Një djalë rreth të dyzetave që vuan nga probleme të shëndetit mendor, jeton në lagjen time me të ëmën. E gjora, një pensioniste hallemadhe që po shkon drejt fundjetës me një bir e fillikat. Me një bir që nuk rritet kurrë, një bir që do të mbetet përjetësisht fëmijë për të dhe për botën. Fëmijë i ‘paedukuar’. Më ka qëlluar nja dy-tre herë me gurë. Ju betohem, as folur e as parë vrëngët. Fati ka dashur, të mos lëndohem, se ai as s’di të gjuajë. Dhe kam menduar gjithnjë sa herë më kujtohet ai njeri. Po ajo NËNË, sa herë do jetë goditur prej tij? A ka dhimbje më të madhe për një nënë të mos e shikojë të birin që rritet, që pjekurohet, që ecën vetë, që bëhet dikush, e madje që edhe s’e dhunon? Të vdesë me këtë dhimbje të pashërueshme e dashuri të pashtershme njëkohësisht për “frytin e barkut të saj”.
Po, ai njeri mund të qëllojë këdo dhe askënd, ama ai qëllon njësoj si foshnja që sa ka zënë të ecë e kap sende, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun për të ndjerë dhimbje e provuar shijen e dhimbjes tek të tjerët.
Gert Shehu nuk ishte as nuk është një rast i tillë.
Jam konsultuar e folur me pafund njerëz dhe njohës të sjelljeve e diagnozave. Gert Shehu nuk më qëlloi mua, aty më kishte, 50 metra më tutje, nuk qëlloi kolegët e mi, që kishte prej tyre që edhe u përpoqën ta ndalojnë vetëm pak fare metra nga Sali Berisha, nuk qëlloi as Ilir Metën, që ndodhej krahë për krahë me Berishën, ai qëlloi preçiz, me vendosmëri, i paramenduar e parapërcaktuar, me domosdoshmëri e çdo kusht, Sali Berishën.
Gert Shehu nuk ka folur pse e bëri!
Ndonjëri mund të ngre pyetjen, pse e solla rastin e komshiut tim?!
E thjesht, ai nuk e di kush është Sali Berisha, ju betohem, ai nuk e di që ekziston në këtë Planet një person me emrin Sali Berisha. Gert Shehu e dinte! Ai edhe po mos ta dinte e kishte mësuar dhe mbajtur mend. Edhe po të mos e kishte mësuar e mbajtur mend, ai e kishte ridëgjuar, disa herë madje, aq herë sa të mos e harronte kurrë. Sepse Sali Berisha dhe veprimi që bëri ndaj tij, i ka ndryshuar totalisht jetën.
Askush nuk do ta njohë më si Gerti që ka sakatuar një djalë të ri para disa muajsh. Askush nuk do ta njohë si djalin që shiste mall pranë “Tabakëve”, askush nuk do e njohë si djalin që ia shkilnin me sy efektivët e Komisariatit Nr.1. Ai do të njihet si Gerti që qëlloi me grusht Sali Berishën.
Kaq mjafton për të kuptuar përmasat që ka Sali Berisha, vetëm një mit mund t’i japë një njeriu një “privilegj” të tillë, që gjithë njerëzimi që do ketë rastin të përmend apo takojë Gert Shehun, të shkojë nëpër mend atë çfarë ka bërë Gert Shehu.
Një budalla nuk ka pikën e shansit ti afrohet një miti, kurrën e kurrës. Nëse Gert Shehun do ta shikojmë si “budalla”, kurrë nuk kemi për ta zgjidhur çështjen. Ky “budalla” nëse do të ishte i tillë do të kishte folur, duhet të tregonte pse Policia e Shtetit nuk sqarohet, nëse e ka arrestuar ndonjëherë apo jo Gert Shehun? Nëse ka patur në ndonjë rast dosje me përmbajtje hetimore që ia ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Tiranës? Nëse kjo e fundit, ka nisur apo jo ndonjëherë hetim për Gert Shehun? Nëse i ka dërguar ndonjë kërkesë Gjykatës së Tiranës, me ndonjë arsyetim për ndonjë vepër penale që ka kryer ky shtetas.
Gert Shehu e di dhe nuk thotë asgjë, asgjë prej gjëje. Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe mbase edhe Gjykata e Tiranës e dinë dhe nuk kthejnë asnjë përgjigje, asnjë për besë, zero. As nuk duan t’ia dinë për ligjin nr. 119/2014 neni 15 pika 1 dhe 2 (Për të Drejtën e Informimit).
Por kur këto autoritete, nuk përgjigjen për këto pyetje, mendoni se ato do të përgjigjeshin për atë që i “përshpëriti në vesh” Gert Shehut? Nuk përgjigjigjen për pyetje aq elementare, por nuk ngurojnë ta na vendosin në dispozicion dokumente për gjendjen mendore në një kohë rekord, thua se e dinin se çdo bënte “shejtani”, fotografinë e tij, madje edhe precedentët e mëparshëm, dërguar ashtu ftohtë forwarded, sa për ta bërë më bindës faktin se “budallai” ishte vërtetë budalla.
A është Gert Shehu “fatkeq”? A ishte ulur autori i vërtetë në Samit? Këto teza as si kam hedhur as s’ju përgjigjem. Nga sa më sipër, për mua Gert Shehu është personazh që më krijon mijëra pikëpyetje. Ndoshta fatkeqi më i madh është ai që i pëshpëriti në vesh, që i tha atij kush ishte ky tirani i madh me emrin Sali Berisha. Ai mjeran ekziston! Vlera e tij mbetet e paçmueshme për sa kohë mbetet mister, por edhe në kre shteti qoftë, nëse bie në rrjetë, një gjë është e sigurt, asnjë groshë nuk vlen më. /Nga Fatjon GJINAJ/