Punëtorë kërkoni? Rrituni rrogat dhe do i keni. Vendosni prag të ri minimal taksimi, shkallë të re progresiviteti dhe keni mbrojtur të ardhurat e tyre! Pandemia nxori në pah se sa informalitet, padrejtësi, pabarazi, paligjshmëri ka në treg e çdo ndërmarrje, ashtu dhe zhvillimi teknologjik solli me gjithë shkëlqimin e tij prapambetjen, pasigurinë fizike e shëndetësore, efektivitetin e ulët të mënyrës së organizimit të punës kudo.
Mbi të gjitha rrogat, një nga instrumentet themelore të vlerësimit të dijes dhe aftësive, punës mundit, djersës, sakrificës së çdo punëtori, shërbyesi publik e jo vetëm, nëpunësi etj. Po humbim punëtorë prej rrogave dhe kushteve të tjera të punës!
Kush ankohet se nuk gjen punëtore, të rrisë rrogat e tyre dhe do i ketë! Në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare mujore ishte 56. 710 lekë, në shtet 68. 196 lekë, në privat 51. 247 lekë, paga minimale 30. 000 lekë.
Por, shumica dërrmuese e punëtorëve në sektoret me punësim masiv-bujqësi, industri, ndërtim, tregeti, transport, sherbime hotelerie e ushqimi, kanë një rrogë më të vogël se rroga mesatare mujore. Me e keqja, edhe sipas grup profesioneve, përsëri në secilin prej sektorëve, punëtorët paguhen me rroga nën mesataren mujore:
Bujqesia paguan një rrogë mesatare mujore prej 35. 887 lekë, Industria 48. 093 lekë, Ndërtimi 42. 505 lekë, Tregëtia, Transporti, Sherbimet etj 43. 034 lekë. Më e keqja akoma është se tatimi progresiv mbi rrogat nis që me rrogën 30. 001 lekë.
Më e keqja fare është se këto rroga paguhen edhe në sektorë me norma fitimi të larta si ndërtimi, me çmime në rritje dhe jo për shkak të punëtorëve! Ditë më parë, me hyrjen e masave të reja në kufij, dëgjova punëtorët shqiptarë në sektorin e ndërtimit në Malin e Zi se paguheshin me 20 euro/dita.
Shiheni me sa paguhet i njëjti punëtori këtu. Ndaj nuk gjeni punëtorë. Rritini rrogat, përmirësoni kushtet e punës! Ne duhet të rrisim rrogën minimale, të vendosim nivelin e ri minimal të tatueshëm e shkallët e reja të tatimit progresiv për të mbrojtur punëtorët dhe shtresën e mesme. 40 mijë lekë rroga minimale dhe duhet bërë tani. /Publikuar në Facebook nga Erion Braçe, ish- zëvendëskryeministër/