Në sajë të feminizmit jam shkolluar dhe kam zhvilluar talentet e mia, dal në punë dhe marr rrogë (për fat të keq ende më të vogël se një burrë), kam konto në emrin tim, vishem si te dua dhe dal e hyj (a rri) pa nevojë të më japin leje burrat, kam të drejtën e fjalës dhe të heshtjes, mund të zgjedh dhe të zgjidhem.
Nëse mendon “jo, unë nuk jam feministe”, kujtohu se sa herë e bën një hap jashtë shtëpisë e pashoqëruar, e veshur si ta merr mendja vetë, e ke në sajë të feminizmit. Sa herë merr fjalën në shoqëri pa u kërkuar leje burrave të jetës tënde, sa herë të dëgjojnë jo sepse je femër dhe ke organe riprodhuese, por sepse je grua dhe ke tru e shpirt, kujtohu se e ke në sajë të feminizmit. Dhe se ka gra në botë sot (dhe në fisin tënd në mos sot, një a dy breza më përpara) që nuk i kanë këto të drejta.
Mos harro se gratë në shoqëri janë si emigrantët në vendin bujtës: vendasit ndihen të kërcënuar, emigrantët ndërtojnë hierarki mes vedi (të paktën jam shqiptar, jo somalez!), suksesi i emigrantit kërkon tri herë më shumë përpjekje, etj. Sa herë mendon “unë nuk jam feministe”, kujtohu se leja jote e qëndrimit nuk është e vetëkuptueshme. /Nga Entela TABAKU, publikuar në Facebook/