Në ditët e fundit, karnavalet në Shkodër janë bërë temë e diskutimit. Megjithatë, mendoj që ka ardh koha me e vendos në fokus një realitet të hidhur: karnavalet e Shkodrës nuk kanë asnjë lidhje historike me Karnevalet e Venecias. Në Venecia, karnevalet kanë një traditë historike e lashtë që nga mesjeta, e ruajtur dhe e zhvilluar me xhelozi. Gjatë karnevaleve individët pjesëmarrës vendosin maska (surretën) që të fshehin identitetin e tyre, duke i lejuar ata të socializohen me të gjithë individët pa qenë të gjykuar bazuar në kategori shoqërore. Është një moment i festimit të lirisë maksimale para festës Katolike të Krezhmeve (periudhë agjërimi dhe pendimi).
Sot, gjendur në lokomotiven pa timonier të progresit liberal gjendemi në një trend katastrofik imitimi të formave të traditave të huaja kulturore duke e anashkaluar totalisht investimin në qëndrueshmërinë e traditave tona. Me pak fjalë i festojmë traditat e pushtuesit dhe shfrytëzuesit. Karnavalet e Shkodrës, sot, janë një shembull i tillë.
Në vend që të promovojmë dhe të festojmë trashëgiminë tonë unike, satirën kundrejt fenomeneve aktuale sociale, politike, ku populli jeton lirinë dhe barazinë, po e vëmë atë në rrezik duke u përpjekur të imitojmë traditat e tjera pa kuptuar thellësisht kontekstin dhe kulturën e tyre, të udhëhequn nga parimi “tu ba akrobaci, thithim turizëm”.
Dhe në vend që të vendoset në mesin e saj satira dhe ironia që gjeneron Shkodra me anë të bejtave, ahengjive, organizatorët kanë zgjedhur të përdorin maskat (surretën) veneciane dhe veshje të ballove veneciane. Pyetjet që duhet të bëjmë janë: çfarë janë këto maska është pse ti përdorim sot? Përveçse janë një mjet për të fshehur identitetin, maskat veneciane kanë qenë gjithashtu një mënyrë për të shfaqur statusin shoqëror dhe pasurinë. Në një vend si Shkodra, ku sarkazma dhe ironia ndaj pushtetit janë pjesë e trashëgimisë së saj, përdorimi i këtyre maskave është një paradoks i plotë.
A nuk duhet të ishin surratat karikaturë e pushtetarëve që e mbytën zhvillimin e Shqipërisë?
A nuk është ironike që një popull i lënë në varfëri arsimore, ekonomike, sociale të vendosë surretën, kur të gjithë janë të barabartë në varfëri?
A nuk është ironike që një qytet si Shkodra, me kulturë të gjërë kritike, ironie dhe satire ndaj pushtetit, të bie në grackën e ballos?
Por kur i shoh disa pushtetar me maskë, është lehtësim t’paktën tani kanë një identitet.
Çfarë po festohet sot? A po festohet liri? Opozitë zgjohu nga gjumi! /Nga Engjëll GJUGJA, publikuar në Facebook/