
Pse vallë Rama kërkon poshtërimin e kundërshtarit me ngulm? E kam fjalën për Shkodrën, bastionin e vetëm e të pandryshuar të së djathtës. Duket që e do fitoren atje si një triumf. Unë jam i bindur që kandidati i Ramës në këtë bashki, nuk i shpall superprojektet me idenë se do t’i financojë me paratë e tij personale, e as me taksat e drobitura të bashkisë. Janë projekte që mund të bëhen vetëm me mbështetje të Ramës.
Po vallë a ka vullnet, kryeministri t’i bëjë këto edhe me një kundërshtar? Duke dhënë kështu edhe një shembull të pashembullt deri më sot se bashkëpunimi nuk bëhet vetëm në emër të pushtetit si në 2008 me Berishën, në 2011 me Metën dhe në 2017 me Bashën, por edhe në emër të qytetarëve e progresit. Mbi të gjitha, të shmangë poshtërimin, jo të Berishës, por të së djathtës, aq sa ka mbetur.
Aktivizimi i kaq resurseve për marrjen e bashkisë së Shkodrës, duke hyrë deri brenda “shtëpisë së kyçur” të Big Bradhërit, nuk më shëmbëllen me asgjë më shumë se me një super-ushtri (PS) që ka ndjekur këmbë për këmbë kundërshtarin e rraskapitur e shkalafitur (PD) dhe në kështjellën e fundit, para se ta poshtërojë përfundimisht, e qesh dhe e përqesh duke i vënë kundër edhe besnikët e dikurshëm, ndërkohë që ithtarët thërrasin rroftë-rroftë. (Nuk do të çuditesha që këto dy javët e fundit, edhe njerëz ish-të persekutuar, të dilnin e të bënin thirrje për kandidatin e Ramës. Por po sikur gjithçka t’i kthehej në bumerang në 14 maj?! Sikur shkodranët ndryshe nga qytete të tjera të mos bëheshin oportunistë?).
Për mendimim tim, Rama mund dhe duhet të tregohet kalorës. Madje edhe finok politik, duke mos e poshtëruar kundërshtarin, të djathtën pra. Le të tërhiqet pak nga mësymja. Kështu, edhe nëse humbja vjen nga qëndresa e shkodranëve, mund të shitet si dashje e Ramës. Si fillimi i një ere të re bashkëpunimi, ideuar nga Rama.
Sepse, nëse humbja vjen edhe pas një fushate agresive si deri tani, ku shfrytëzohet çdo mundësi dhe piruetë oportuniste, atëherë fitorja do të ishte një forcë e madhe frymëzimi për të djathtën e rraskapitur, (por në ketë rast sidomos për Berishën) edhe sikur Shkodra të mbetej e vetmja pikë blu në hartën e pas 14 Majit. E, pas dy vjetësh, në vend të një Benet Beci, Ramës do t’i duhej të mobilizojë 11 të tillë. /Nga Edmond ARIZAJ, publikuar në Facebook/