Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj përmes një deklarate ka reaguar sërish pas akuzave të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi. Gjonaj i cilëson deklaratat të qëllimshme, pasi në skandalin e tenderave që po hetohen janë të përfshirë njerëz të LSI-së, tha ajo.
“Arrestimet erdhën pas një kallëzimi të bërë dhe pas disa inspektimeve mbi procedura skandaloze tenderimesh, këto kanë mjaftuar që Kryemadhi të më shantazhojë. Unë nuk jam këtu për t’i kthyer një përgjigje asaj, por për ti thënë kujtdo që nuk mund të më ndalë kush për të bërë detyrën time. Procedura e tenderimeve ka qenë abuzive që u bënë shkak për hetimet dhe arrestimet.
Sulmi vulgar ndaj meje nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur, unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t’u sulmuar drejtësia. Me qëllim të këtij sulmi që nuk do të ndalet i bëj thirrje që të bëhet hetimi ndaj atyre që kanë bërë shkelje në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
I kërkoj prokurorisë që të mos intimidohet ndaj atyre që shkelin ligjet. Procedura nga abuzimit me tenderat duhen zbardhur deri ne fund dhe ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësi. Drejtësia nuk të jetë selektive, të gjithë të përgjigjen njëlloj. Ofensiva terësore e opozitës ndaj prokurorisë nuk është e rastit, sulm ndaj reformës në drejtësi.
Ata duhet ta tregojnë mbështetjen me vepra, jo me fjalë’ deklaroi ajo. Deri tani janë tetë zyrtarë që po hetohen për tenderat në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa gjithashtu po verifikohen edhe dy ish-ministra të LSI-së, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi akuzoi dje nga foltorja e Kuvendit, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj se po keqpërdor institucionin duke sulmuar përfaqësuesit e LSI (lexo këtu). Por Gjonaj reagoi duke e cilësuar shantazh. Ndërkohë që Kryemadhi vijoi replikat në distancë me Gjonajn sot pas takimit me ambasadorët e disa vendeve të BE-së, teksa u shpreh se ministrja të mos bëj rolin e virgjëreshës.