Artisti i madh i muzikës popullore, Bujar Qamili, ka rrëfyer të tjera episode nga përvoja e tij e vështirë me Covid-19, ndërsa tregon se gjatë intubimit mjekët u detyruan t’i lidhnin duart pasi dilte jashtë kontrollit.
“Armikut mos ia pafsha” u shpreh Qamili lidhur me sëmundjen, gjatë rrëfimit në emisionin “Rudina” në “Tv Klan”.
Pjesë nga intervista
Rudina Magjistari: Edhe njëherë pak për Covid-in, të shikoj që je mirë, ka kaluar gjithçka, e ke hedhur pas shpine, më trego edhe njëherë sepse është hera e parë që takohemi ballë për ballë pas asaj historie.
Bujar Qamili: Po ta tregoj, po s’kam qejf ta kujtoj më, por ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë, një moment që është një shprehje shqiptare “armikut mos ia pafsha”. Kaq i rrezikshëm është e kaq keq kam kaluar, të paktën një muaj e gjysmë isha në gjendje shumë të rëndë dhe kam qëndruar për disa ditë me radhë në reanimacion, në gjendje kome derisa jam përmendur, por shansi i madh i imi ka qenë që mjekët italianë më kanë qëndruar pranë dhe më sollën edhe njëherë në jetë.
Rudina Magjistari: Edhe kjo është si një jetë e dytë apo jo? E vlerëson si të tillë, si një shans të dytë?
Bujar Qamili: Duket sikur i kemi dëgjuar shpesh ato shprehjet që thonë “ke me vdekë, po do të ringjallesh, do të vish edhe njëherë” e mua më duket, sinqerisht ma beso, më duket sikur kam ardhur.
Më tej, këngëtari tregon që në intubim ishte aq agresiv, sa madje janë detyruar t’i lidhin duart pasi dilte jashtë kontrollit. Ai tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është vaksinuar në Itali. /TvKlan/