Prej shumë orësh vendi ynë është nën “pushtetin” e termeteve që pasojnë pa pushim njëri- tjetrin. Qytetarët janë në panik, kanë braktisur shtëpitë e tyre. Por pavarësisht prej kësaj situate mjaft të rëndë me 105 persona të lënduar, ka edhe nga ata që përpiqen të përfitojnë. Kështu po ngjet me kompanitë e sigurimeve. Në rrjete sociale, ata kanë shpërndarë video të dëmeve të shkaktuara, duke iu kërkuar njerëzve të sigurojnë veten, shtëpitë, makinat, asetet e ndryshme etj.
Ngjajnë si “reklama” cinike në momentin që po kalon vendi, në një kohë kur vëmendja e të gjithëve është përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore, krijimin e kushteve për jetesë. A nuk mund të durojnë edhe disa orë apo disa ditë këto kompani sa të tejkalohet kjo situatë dhe më pas të realizojnë qëllimet e tyre të bisnesit?! Një shprehje e popullit shqiptar e perifrazon shumë mirë atë që po konsumohet nga këto kompani: Fshati digjet dhe k#rva krihet! Por edhe një tjetër mjaft domethënëse: Në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari!