Vendimmarrja e munguar e Këshillit Bashkiak, ka krijuar probleme jo të vogla në funksionimin financiar të KF Vllaznia sh.a. Mësohet se ka mbetur pezull likujdimi i pagesave për punonjësit e klubit kuqeblu për shkak të mosmiratimit të pasqyrave financiare nga ana e Keshillit Bashkiak por edhe e dështimit disa herë të mbledhjes së Asamblesë së KF Vllaznia sh.a. që është vetë Këshilli Bashkiak. Ky problem është bërë publik përmes një postimi në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, ku mes të tjerave nënvizohet:
“Bashkia Shkodër po ndjek me shqetësim situatën e krijuar pranë KF Vllaznia, për shkak të mos miratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit dhe dështimit disa herë të mbledhjes së Asamblesë së KF Vllaznia (Këshillit Bashkiak).
Të gjendur në këtë situatë, dhe në mungesë të një vendimmarrje nga Këshilli, ka ngelur pezull edhe procesi i likuidimit të pagesave për punonjësit e KF Vllaznia. Stafi që administron KF Vllaznia sh.a, është i gatshëm të likuidojë të gjitha paratë menjëherë, sapo të ketë vendimmarrjen për tabelat financiare.
Bashkia Shkodër, shpreh publikisht shqetësimin që kjo proçedurë po vonon, duke vështirësuar punën e Bashkisë Shkodër dhe të KF Vllaznia sh.a!”, përfundon njoftimi i Bashkisë Shkodër. /ShkodraWeb Media/