NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

“E kam fondin gati, por…”, administratori i Vllaznisë Suad Lici flet për situatën financiare në klubin që menaxhon…

Polemikat në Bashkinë e Shkodrës kanë lënë pa rroga lojtarët e Vllaznisë, të cilët po futen në muajin e tretë që nuk po paguhen. Dy ditë më parë Bashkia reagoi në faqen e saj zyrtare, teksa ia kaloi “topin” Këshillit Bashkiak, që njëkohësisht përbën Asamblenë e klubit shkodran. Për shkak të mos miratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit dhe dështimit disa herë të mbledhjes, ka mbetur peng likuidimi i lojtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të klubit.

Për këtë situatë me Bashkinë replikoi edhe vetë kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadija, duke shigjetuar direkt kryebashkiaken Voltana Ademi për faktin se nuk kishte zgjedhur Këshillin Mbikqyrës që nga dhjetori i vitit 2018. “Problemet e K.F Vllaznia janë tërësisht organizative. Buxheti i planifikuar për 2020 është në vlerën 40 milionë lekë (të reja). Ndërsa buxheti i sh.a që miratohet nga Asambleja e aksionerëve përfshin edhe zëra të tjerë të ardhurash dhe mbi të gjitha, ka pasoja kontraktuale që janë përtej përgjegjësive tona dhe janë marrëdhënie që nxjerrin penalitete të rënda ekonomike dhe morale për shoqërinë në fjalë”, citonte ndër të tjera kryetarja e Këshillit Bashkiak.


Ndërkohë,  “Panorama Sport” kontaktoi për këtë problem vetë administratorin e klubit, Suad Lici, për të dhënë një përgjigje rreth situatës dhe se si mund të zgjidhet çështja. Përplasjet në bashki po ndikojnë direkt te marrëdhënia financiare e klubit me lojtarët dhe stafin, por Lici shmang polemikat, duke mos dashur të ndërhyjë në këtë ngërç me sfond politik.

“Unë di të them që disponoj fondet për të kryer pagesat. Kjo është e gjitha…”, ka thënë shkurtimisht Lici.

Administratori theksoi gjithashtu në prononcimin e një dite më parë për gazetën se pa u miratuar bilancet, nuk mund të bëjë likuidime. Një histori që mesa duket do të zgjasë, për më tepër në këtë situatë emergjente në vend, ku gjithçka është e fokusuar në marrjen e masave për të evituar sa më shumë përhapjen e korona virusit. /Nga Admir URUÇI/

Copyright © ShkodraWeb Media ׀׀ Të gjitha materialet tona mund të përdoren lirisht nga mediat e tjera por duke përmendur burimin se nga është marrë informacioni.
Për t’u abonuar në kanalin tone në YouTube ShkodraWeb TV mjafton të klikoni: SUBSCRIBE dhe do të informoheni me lajme me video por dhe argëtoheni pa fund me humor të zgjedhur! Për të marrë njoftime për video të reja, ABONOHU tani!