
Mungesa e investimeve për Veriun e vendit në përgjithësi e Shkodrën në veçanti, ishin në qendër të diskutimeve në Kuvend të deputeteve Emilia Koliqi dhe Greta Bardeli. Në një zë, dy të zgjedhurat e Qarkut të Shkodrës, kanë vënë theksin në problemin e bllokimit të rrugës së Rinasit por edhe diskriminimin në investime të Veriut.
Bardeli dhe Koliqi kanë evidentuar edhe mungesën e investimeve në infrastrukturën rrugore, tregues i mungesës së vëmendjes së qeverisë për Shkodrën e Veriun.
Deputetja Greta Bardeli Gjoni: Bllokimi për 5 ditë i rrugës drejt aeroportit, na konfirmoi në fakt dështimin e turpshëm të qeverisë me investimet e çoroditura dhe klienteliste në infrastrukturën rrugore në vend. Shkodra dhe Veriu i vendit është totalisht i braktisur nga financimet për zgjerimin e rrugëve, në një kohë kur tunelet dhe pistat e helikopterëve ju shkojnë në dyert e vilave në bregdet, elitës së korruptuar dhe kriminale.
E kam shprehur dhe më parë, nga Miloti në Shkodër, rruga prej 20 vitesh nuk ka asnjë investim për tu zgjeruar. Është kthyer në aksin më të pasigurt dhe të frikshem, burim i përhershëm aksidentesh me humbje jetësh.
Meqenëse më duhet të udhëtoj shpesh, se fundi mu desh të shihja nga afër për fat të keq dhe me dhimbje dy turistët polakë të vdekur mës rrugës Lezhë- Shkoder nga një aksident fatal. Ngushëllime familjeve të tyre.
Më tej, asnjë hap nga qeveria për investimin e projektit Thumanë – Kashar, rreth 20 kilometra autostradë, që do lidhej me pjesën tjetër Thumanë – Laç. Financimi ka shkuar në drejtim të paditur, ndërsa rruga aktuale është në gjendje për të ardhur keq.
Veriun e keni katandisur në 2 rrugica për të hyrë dhe dalë qendra e vendit. E kanë mirë socialistët e Shkodrës që thonë, po deshët investime në rruge, më mirë i thoni Zamirit sesa Ramës!
Deputetja Emilia Koliqi: Të nderuar qytetarë,
Vendimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, për devijimin e qarkullimit drejt Aeroportit të Rinasit , tregoi edhe njëherë, paaftësinë e qeverisë për të ndërmarrë një nisëm në favor të qytetarëve shqiptar. Po ashtu, ishte dëshmia e radhës e dashakeqësisë deri në diskriminim për banorët e Shkodrës dhe gjithë Veriut të vendit.
Si mund të bllokohet një rrugë nacionale, pa dhënë alternativa të sakta dhe me leverdi ekonomike për banorët e zonës, por edhe për gjithë përdoruesit e asaj rruge? Nuk ndodh askund që të bllokohet një rrugë jetike, siç është ajo drejt aeroportit të vendit, pa dhënë një mundësi tjetër qarkullimi për mijëra banorë.
Si mund të caktosh një drejtim lëvizjeje, që rrit kostot e përdoruesve, jo vetëm nga çmimi i karburantit, që caktohet nga Bordi i qeverisë, por edhe nga shtesa e kilometrave të përshkuar. Kjo sillte një dëm shumë të madh ekonomik për mijëra familje por edhe për emigrantët nga Veriu i Shqipërisë që po bëhen gati të kthehen në vendlindje.
Ishin protestat e banorëve të Rinasit, të penalizuar në jetën e tyre të përditshme, mbështetja e deputetëve të Partisë Demokratike krah tyre, që e detyruan qeverinë të anullonte vendimin absurd të mos lejimit të qarkullimit nga Veriu në drejtim të aeroportit.
Për lehtësimin e qarkullimit në këtë periudhë, ARRSH nuk jep zgjidhje përfundimtare të drejtimeve të lëvizjes, por ofron përdorimin e rrugëve sekondare. Po cilat rrugë?
Rrugët sekondare kalojnë në zona të populluara, nuk kanë gjerësi, nuk kanë standarte të rrugëve nacionale dhe patjetër janë premisë për burim të aksidenteve rrugore.
Si ka mundësi që Ministria, gjthë këto vite, nuk është në dijeni për trafikun e udhëtarëve të Rinasit dhe ARRSh shprehet se pas sezonit turistik do të ketë një zgjidhje përfundimtare, por akoma nuk ka filluar procesin e prokurimit per nje zgjidhje alternative?
A mos ky vendim ishte në funksion të ndonjë koncesioni, pjesë e të cilit, është ky segment rrugor?
Tashmë jemi në fillimet e sezoni turistik, dhe nuk është vetëm rruga e Rinasit që bllokohet. Cila është zgjidhja që ofron Autoriteti Rrugor Shqiptar, në lidhje me gjithë qarkullimin e zonës së veriut, duke filluar nga Muriqani i Shkodrës deri në Lezhë, Milot, Thumanë, Fushë-Krujë, Vorë?
Përveç fluksit të përditshëm, kjo rrugë frekuentohet, nga mijra pushues, turistë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Kosova, që vijnë gjatë sezonit veror në plazhet e Shëngjinit, Velipojës, Durrësit. Vargu i makinave që shkon deri në 15 kilometër i gjatë, i bllokuar me orë të tëra, ku për 60 km, qëndron në trafik rreth 4 orë, është i pafalshëm.
Investimet në autostradën e Kombit e kanë rritur trafikun në aksin e qendrës nga Miloti në Shkodër, nga Fushë-Kruja në Tiranë dhe në Durrës, ndërkohë që investimet e reja në këto zona mungojnë. Pas qarkullimit të normalizuar deri në kryqëzimin e rrugës së Kombit, vjen dhe vështirësia e lëvizjeve, si rezultat i rrugës me një korsi të vetme.
Bllokimi i qarkullimit po ndodh perdite, jo vetëm gjatë sezonit turistik, duke filluar që nga ura në dalje të Lezhës e për të arritë kulmin në zonën e Kamzës. Pë të evituar këtë bllokim, i gjithë Veriu përdor edhe rrugën e Rinasit.
Besoj të gjithë deputetët, që e frekuentojnë vazhdimisht këtë rrugë, dhe jemi 21 deputetë të qarqeve Shkodër, Lezhë, Kukës, e kanë vrejtur edhe gjendjen e degraduar të segmenteve të veçanta, që tregon një mungesë totale të mirëmbajtjes, veçanërisht në zonën ku mbaron autostrada ne Fushë-Krujë.
Gropa të hapura, fryrje asfalti, dëmtime të sinjalistikës rrugore, të guardrail-eve, gjë që çon edhe në rritjen e aksidenteve në këtë aks rrugor.
Aksi Fushë Krujë -Lezhë është një nga segmentet rrugore, që njihet për numrin e lartë të aksidenteve. Lapidarët e vegjël përkujtimorë në të dyja anët e rrugës dëshmojnë fare qartë këtë fakt.
Komisioni Europian në vitin 2014 miratoi shtrirjen e rrjetit strategjik të korridoreve europiane edhe në Ballkan, nëpërmjet autostradës Adriatiko -Joniane. Ky investim mbështet zhvillimin social-ekonomik dhe procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Ministria e Infrastrukturës, që nga fillim viti 2019, ka gati studimin e prefizibilitetit për ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane, studim i financuar nga BE, dhe i miratuar nga Këshilli Teknik, Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke i hapur rrugë, financimit të përgatitjes së projektit përfundimtar.
Në territorin shqiptar gjurma definitive e Korridorit, nis në Muriqan dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 295 kilometra, me një kosto paraprake (pa shpronësime dhe TVSH) 2.6 miliardë euro).
Qeveria ka vendosur të financojë me koncesione PPP, pjesë të një projekti europian. Tre segmente të autostradës Adriatiko – Joniane, Milot-Balldren, Thumanë – Kashar dhe Kashar – Rrogozhinë do të ndërtohen me PPP me kosto 3 here me te larta se studimi i fizibilitetit.
Sipas studimit, akset Milot – Balldren dhe Thumanë – Kashar kushtojnë 296 milionë euro, por qeveria me ngutin e saj, tentoi t’i jepte me koncesion të dy këto segmente për 670 mln euro.
Sapo kanë filluar përgatitjet e Projektit për segmentin Muriqan – Lezhë të Korridorit Adriatiko-Jonian. Takimi i parë i projektuesve me specialistët në Bashkinë e Shkodres, është zhvilluar me datën 9 Mars.
Kush e di se pas sa vjetësh do të fillojë ndërtimi i këtyre segmenteve, dhe ndërkohë penalizohet i gjithë veriu.
Edhe në ligjin 118/2021 për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese Shqipëri –Itali, qeveria e hoqi studimin dhe projektimin për zgjerimin e rrugës Milot – Shkodër dhe krijimin e lidhjes direkte nga Vaqarri (periferia e Tiranës) me Kavajën.
Këto investime, me impakt shumë të rëndësishëm për Shkodrën e Veriun, penalizojne edhe njëherë gjithë Veriun e Shqipërisë, lëvizjen e qytetarëve kosovarë dhe jane në dëm të lidhjes tokësore të Shqipërisë me Europën e Veriut.
A do të vazhdohet përsëri me politikën e izolimit të Veriut, mungesën e investimeve, refuzimin e ndërtimit të segmentit rrugor të autostradës Adriatiko- Joniane sipas drejtimit të busulles Veri-Jug?!
Një thirrje për qeverinë: distancohuni nga projektet korruptive, që ju shtyjnë të ndërmerrni veprime ekonomike antikombëtare!
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!