“Mund t’ia kemi bërë me ‘hile’, pasi ne kemi luajtur me 12 vetë”, portierja e Vllaznisë tregon “sekretin” e fitores së Kupës

Një rast unik deri tani të paktën dhe që mund të jetë i denjë për t’u regjistruar edhe në rekordet “Guinness” është verifikuar në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë për vajzat, në mes Apolonisë dhe Vllaznisë. Dëshirën për të luajtur në ndeshjen finale të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, nuk ia ndaloi as “pritja e ëmbël”! Barku i rrumbullakët që kishte filluar të duket edhe sipër bluzes së gjerë të uniformës, nuk e pengoi portieren shkodrane Ardiola Raxhimi që të zbriste në fushë e për t’i dhënë fitoren skuadrës së saj.


Vllaznia triumfoi 4-0 përballë Apolonisë, në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena” dhe Kupën nuk e ngriti kapitenia Megi Doçi siç tradita e kërkonte, por nga portierja Raxhimi. Një ngjarje kjo shumë e veçantë në historinë e futbollit shqiptar, ndoshta edhe në atë botëror, që vjen nga Shkodra. Në përfundim të ndeshjes, e lumtur për fitoren, Raxhimi zbuloi edhe “sekretin”.

“Një sekret i vogël. Mund t’ia kemi bërë me hile, pasi ne kemi luajtur me ’12 vetë’, pasi unë së shpejti do të bëhem me një bebe”, u shpreh portierja e Vllaznisë Ardiola Raxhimi. ShkodraWeb Media uron vajzat kuqeblu për fitoren e rradhës në futbollin shqiptar dhe portieren Raxhimi në “pritje të ëmbël”: Sjelltë në jetë një kampion ose një kampione futbolli si ajo vetë!


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania