Tre ditë më parë pushoi së rrahuri zemra e aktorit të madh shqiptar Paulin Preka, Mjeshtër i Madh i humorit shqiptar. Ai ndërroi jetë pranë familjes së tij në Itali, ku jetonte pas vitit 1997. Dëshira e tij ka qenë të prehet në Shkodrën e tij dhe dëshira e tij do të plotësohet nga familja.
Paulin Preka do të mbërrijë në Shkodër mëngjesin e të merkurës, për tu prehur përjetësisht aty ku u lind. Homazhet në nderim të mjeshtrit Preka, do të zhvillohen në Teatrin “Migjeni” duke nisur nga ora 11.00. Më pas, ai do të përcillet për në banesën e fundit.
Paulin Preka ishte pjesë e ajkës së aktorëve të prodhuar nga “toka” e artit shkodran. Ai spikati me interpretimet e tij në zhanrin e humorit në skenë por edhe në ekran, kur u ftua të aktronte. Vdekja e tij është një humbje e madhe për artin shqiptar, duke lënë bosh një vend që do të duhet shumë kohë të plotësohet por jo të zëvendësohet.
Nesër, të mërkurën, është momenti që Shkodra e shkodranët ti shprehin mirënjohje këtij aktori të madh. Edhe në ditët më të vështira të vendit, nën diktaturën komuniste, Paulin Preka dhe kolegët e tij sollën buzëqeshje e gëzim në familjet shkodrane e shqiptare.