MINUTA E FUNDIT – Vllaznia shkarkon Elvis Plorin, nuk kapërdihet humbja e fundit me Tiranën…

Klubi kuqeblu i Vllaznisë mesa duket nuk e ka kapërdirë humbjen e fundit me Tiranën. Praktikisht, humbja i ka mbyllur rrugën mundësisë së sigurimit të Europës së futbollit për Vllazninë përmes Superligës.

Nuk ka vonuar dhe ka ardhur edhe reagimi i klubit shkodran. Përmes një komunikate për mediat, është mësuar largimi i trajnerit të parë Elvis Plori nga drejtimi i ekipit.


“KOMUNIKATË PËR SHTYP

Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka vendosur me mirëkuptim largimin nga pozicioni i trajnerit të pare Elvis Plorin.

Falenderojmë trainerin Plori për të gjithë kontributin e dhënë gjatë ketyre 2 viteve për ringritjen e klubit tone dhe i urojmë shumë suksese ne sfidat e ardhshme në pozicionin teknik brenda klubit tonë.”, thuhet në njoftimin e KF Vllaznia sh.a.

Vendimi i presidentit Alban Xhaferi vjen në një moment mëse delikat për Vllazninë. Kanë mbetur edhe dy ndeshje për Superligën, ndërsa ditën e fundit të majit, Vllaznia luan të gjithë sezonin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Nuk ka akoma asnjë emër për pasues të Plorit, por me gjasë do të jetë një nga trajnerët e lirë si Josa apo Martini.

Duket e vështirë të arrihet marrëveshje afatgjatë në këtë moment, aq më shumë kur nuk është e sigurtë pjesëmarrja e Vllaznisë në Kupat e Europës. Me gjatë, do të jetë më shumë një parakontratë, në varësi të ndeshjes së 31 majit 2022.