Mesazhet fyese në rrjete sociale para ndeshjes me Vllazninë, klubi kuqeblu njofton lënien jashtë stadiumit të “Tirona Fanatics”

Klubi i Futbollit Vllaznia është i angazhuar maksimalisht në organizimin sa më të mirë të ndeshjes Vllaznia-Tirana duke u kujdesur maksimalisht për një qëndrim korrekt të tifozërive respektive në shkallët e stadiumit.

Konstatohet se grupimi “Tirona Fanatics” përmes faqes së tij zyrtare, në njoftimin dhe përgatitjen e tifozërisë tiranase për të marrë pjesë në këtë takim, ka lëshuar fyerje të cilat nxisin dhunë dhe janë të papranueshme për principet dhe misionin e futbollit.


Përsa më sipër, ditën e djeshme kemi njoftuar Federaten Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana për marrjen e masave të menjëhershme dhe heqjen e fjalëve të papërshtatshme në postimin e këtij grupimi. Por, përtej angazhimit dhe mirëkuptimit të FSHF-së dhe Klubit Tirana, deri sot në mesditë nuk ka patur asnjë reagim duke mbetur e njëjta situatë.

Përsa më sipër, KF Vllaznia me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatave të dhunës, do të mbajë të mbyllura tribunat E4 dhe E5 të planifikuara për grupimin e tifozave të Tiranës.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin!