“Shënon Aralica, Vllaznia të përsërisë Dinamon”, Sinani: Ndeshje e madhe, çdo sekondë mund ta vendosë këtë sfidë

Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre në gjithë historinë e këtij klubi, sulmuesi i mirënjohur Vioresin Sinani, në një intervistë të tij ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur për “klasiken”.

Vllaznia-Tirana është për të një nga ndeshjet më të mëdha. Ish-futbollisti i shpallur kampion me të dyja skuadrat nuk e fsheh dëshirën që Vllaznia, ekipi i zemrës, të dalë fituese nga kjo sfidë, teksa kërkon një impenjim maksimal nga minuta e parë deri te vërshëllima e fundit. Ai ka vlerësuar Tiranën, ekipin që me meritë sipas tij udhëheq kampionatin.


Çfarë do të thotë për ju një ndeshje Vllaznia-Tirana?

Një “klasike” e përjetshme. Emocione si atëherë kur kam qenë në fushën e lojës. Kësaj here, me plot gojë, mund të thuash që luajnë dy ekipet më të mira të kampionatit. Për mua përherë më sjell kujtime nga më të bukurat, por edhe ato të hidhura. Mbetet përherë një përballje ku përherë tri rezultatet janë në lojë, por s’mund ta fsheh dëshirën që të fitojë Vllaznia.

Cili është goli që nuk e harroni kurrë nga këto përballje?

Për mua nuk ka pasur gola të bukur e të pabukur. Për mua çdo gol më ka dhënë kënaqësi maksimale. Sa herë kam shënuar, kam gëzuar njëlloj. Nuk di të dalloj gola në të tilla sfida.

Çfarë ndeshjeje prisni të luhet nesër (sot)?

Pres të luhet një ndeshje e bukur. Një ndeshje e luftuar nga fillimi në fund. Por, e thashë edhe në fillim, që të fitojë në fund Vllaznia. Tirana e këtij sezoni është një skuadër e mirë. Jo më kot është në këto pozicion.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në këtë takim?

Për mua nuk ka shumë rëndësi individi, pasi një fjali mund ta vendosë nën presion. Por mua më pëlqen Aralica. Dëshiroj që të jetë sërish dita e tij.

Keni një mesazh për sulmuesit e Vllaznisë?

Mesazhet i jep trajneri, por unë dëshiroj që jo për sulmuesit, por gjithë ekipi të tregojnë atë lojë dhe atë bollëk golash që treguan me Dinamon. Ndoshta ajo nuk përsëritet, por pse të mos presim që sërish ta shikojmë

Cilin shikoni më afër golit?

Dëshiroj të fitojë Vllaznia, po e ritheksoj disa herë këtë frazë. Të shënojë kush të mundet nga lojtarët e Vllaznisë. Më lart e thashë, Aralica mund të jetë më afër golit, kjo për pozicionin që ka.

Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes Vllaznia në këtë takim?

Vllaznia duhet të kujdeset nga minuta e parë deri te vërshëllima e fundit. Me Tiranën, jo sot, por historikisht edhe kur unë kam luajtur futboll, duhet që impenjimi e vëmendja të jenë në maksimum. Tirana ka një ekip mjaft të mirë, të godet kur s’e pret. Prandaj, në çdo sekondë duhet që të kenë vëmendjen maksimale.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL